K Ë R K E S Ë

13 shkurt 2026 | 13:29

  1. Dom Frok Zefi

DREJTUAR:
Të gjitha organeve të qeverisë së Republikës së Kosovës.

ME SUBJEKT:
Lidhje e një pensioni shtetëror për Nënën Stana Gashi dhe për familjen Gashi, me vendbanim në Peshtër, Kosovë.

Në emër të mirënjohjes kombëtare, të humanizmit dhe të drejtësisë sociale dhe asaj historike, i drejtohemi të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, me këtë lutje në formën e një kërkese të përulur por njëkohësisht edhe të drejtë:
Të nderohet dhe të mbështetet me pension të veçantë shtetëror nëna Stana GASHI, bijë e Peshtërit dhe e familjes Gashi, për kontributin e saj të jashtëzakonshëm humanitar dhe atdhetar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Kush ishte Stana Gashi?

Stana (Pjetër) Gashi lindi më 2 dhjetor 1947 në fshatin Brus, lagjja Brusi i Madh.
Ajo u martua me Nue Gashin nga lagjja Peshtër e të njëjtit fshat, dhe së bashku krijuan një familje të madhe prej 11 fëmijësh (8 djem e 3 vajza).
Tre djemtë e saj — Filipi, Fatmiri dhe Viktori — u rreshtuan me uniformë në radhët e UÇK-së dhe luftuan për lirinë e Kosovës.
Gjatë luftës, shtëpia e familjes Gashi u kthye në një bazë të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aty u strehuan, u ushqyen dhe u ndihmuan me pajisje qindra ushtarë të UÇK-së, duke bërë që shtëpia e saj të kthehej në një vendshpëtim dhe mbështetje për çlirimtarët. Prandaj ajo kudo në Kosovë njihet si“Nëna e UÇK-së.”
Më shumë se 300 luftëtarë kaluan në këtë shtëpi për ushqim, pushim, strehim dhe logjistikë gjatë viteve 1998-1999.

Nënë Stana nuk mbajti armë, por mbajti gjallë jetën. Ajo ushqeu luftën me bukë, pastërti, dhembshuri dhe sakrificë.

Me duart e saj punëtore ajo:

• përgatiti mbi 4.500 dreka dhe 4.500 darka për ushtarët tanë;
• Lau më shumë se 2.000 uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
• U shërbeu, u kujdes dhe u dha ndihmë të plagosurve në ditët më të vështira të luftës.

Ky shërbim nuk ishte një detyrim ligjor, por një thirrje zemre e besimi në emër të dashurisë për atdheun. Nënë Stana punoi pa u lodhur, shërbeu me përkushtim dhe sakrifikoi shumë për të mirën e shoqërisë sonë.
Prandaj, sot, kur liria gëzohet, është detyrim moral dhe shtetëror që sakrifica e saj të mos mbetet vetëm kujtim, por të kthehet në dinjitet, siguri dhe përkujdesje konkrete për Nënë Stanën tashmë të shtyrë në moshë, por edhe për familjen Gashi.
Një pension për Nënë Stanën nuk është bamirësi — është nderim, është mirënjohje, është drejtësi. Ajo e meriton këtë nderim që i vjen nga shteti, dhe nga populli i saj.
Le të jetë ky akt mirënjohjeje prej jush edhe një mesazh për brezat, se Kosova nuk i harron nënat e saj, e se liria nuk u fitua vetëm nga pushka, por edhe nga buka, mëshira dhe zemra e madhe e grave si nënë Stana!
Me respekt, me përulësi dhe me besim në drejtësi, kërkojmë që kjo lutje të dëgjohet dhe nënë Stanës ti lidhet një pension i ndershëm, për gjithë kontributin dhe përpjekjet e paepura të saj në ditët e luftës sonë për lirinë e vendit.
Duke ju falënderuar për gjithë mirëkuptimin, vlerësimin dhe kontributin tuaj në zgjidhjen e këtij problemi social por mbi të gjitha edhe njerëzor, mbetemi në pritje të një përgjigjeje konkrete dhe pozitive prej jush.

Me respekt,
Dom Frok Zefi,
Famullitar në Binçë, Kosovë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët do të mblidhen sot nga ora 15:00 në seancë…