Minishengeni, sfidë apo vetëdijesim

26 dhjetor 2019 | 19:14

Shkruan: Blerim Muriqi

Iniciativa rajonale për katër liritë, të cilat e bënë BE-në ta ndërtojë identitetin konkurrues me faktorët e tjerë të globit dhe t’i mbyllë njëherë e mirë armiqësitë, apo Shengeni toka e premtuar e gjithë vendeve të lindjes që dolën nga perandoria moniste po shkon drejt fundit. Se cili do të jetë fundi i kësaj iniciative akoma është herët të flitet. Por një gjë dihet, minishengeni do të dështojë nëse mbetet pa pjesëmarrjen e Kosovës!
Minishengeni si iniciativë, po të realizohej, do të bëhej motori zhvillimor i rajonit. Zymtësia që sot ka pllakosur rajonin pa dallim, me emigrimet e pafundme dhe pashpresën e jetës së dinjitetshme, do të merrte të tjera ngjyra. Rajoni ynë, për shkak të historisë, e ka të vështirë të ndërtojë union të mirëfilltë, andaj ndërveprimi mbetet akoma një e mundur e domosdoshme dhe për këtë nuk duhet të ndalen liderët. Në kërkim të këtij bashkëveprimi liderët dhe vendet duhet të kuptojnë se në qendër të suksesit qëndron arra e fortë; mosnjohja e Kosovës nga Serbia. Energjitë e para duhet të shterohen në këtë drejtim, në këtë njohje!

Kosova përbën shtrirjen gjeografike që mund të quhet zemra e rajonit i cili po mëton të krijojë hapësirë implementuese për katër liritë shengeniane. Ajo në vetvete është edhe më shumë se vetëm shtrirje gjeografike, është shqiptare dhe si e tillë determinon sjellje jo vetëm respekti, por edhe obligimi të së paku dy faktorëve të tjerë të Shqipërisë politike dhe të Maqedonisë e cila përbëhet nga gati gjysma e popullatës së saj me etni shqiptare dhe lidhje të forta nga familjare e deri etno-sociologjike.
Me shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë, Kosova ndanë fatin e njëqind vjetëve të fundit më afër se me këdo tjetër. Andaj, Kosova impakton fuqishëm edhe funksionalitetin demokratik dhe rendin kushtetues në Mal të Zi, ku pa votën shqiptare dhe boshnjake shteti rrezikon të bjerë në duart e partive serbe e proserbe. Një zhvillim i tillë në Mal të Zi do ta kthente rajonin në apetite serbe ku pak do t’i duhej shovinizmit serb të kthehej në fashizëm veprues. Rusia mezi pret zhvillime të tilla. Takimi i Novisadit do të duhej t’u shërbente si mësim të gjashtë vendeve të rajonit. Ngërçi real i atij takimi ishte Kosova. Presidenti Thaçi apo kryeministri Haradinaj nuk mund të udhëtonin atje për shumë arsye, por janë disa që përbëjnë qenësoren e atij mosudhëtimi.

Si e parë ftesa për Kosovën duhej të ishte ftesë për shtetin e Kosovës, ftesë e cila do të garantonte prezantim të barabartë dhe ky prezantim i barabartë do të obligonte impenjim real konform interesave të shtetit të Kosovës si në marrje përgjegjësish, po ashtu në ofrim shërbimesh.
Si e dytë Kosova nuk është njohur nga Serbia, dhe si e tretë Serbia mban peng akoma mijëra të zhdukur të luftës të cilët i degdisi nëpër frigoriferë e furra në Serbi. Për dëmet e luftës nuk po merremi me to sepse ato një ditë të afërt Serbia edhe do të detyrohet t’i paguajë.

Takimi i Ohrit, nëse Kosova është thirrur në cilësinë e shtetit, përbën gabimin e madh të mospjesëmarrjes sonë. Ne nuk mund të mbetemi jashtë zhvillimeve. Se a do të bëhet Kosova pjesë a jo e këtij minishengeni këtë e vendosin drejtuesit tanë bazuar në ato që ofron e argumenton iniciativa, por se duhej të merrej pjesë këtë nuk e vë fare në dyshim. Tavolinat janë për t’u qartësuar pozicionet dhe Kosova nuk duhet të ketë frikë nga to. Fundja, ne mëtojmë të bëhemi pjesë e gjithë tavolinave ku çështjet kanë të bëjnë me zhvillimet rreth nesh dhe në ne.
Përfundimisht në takimin e Tiranës është bërë gabim që nuk është shkuar! Tirana është shtëpia jonë dhe aty ne jemi shtet në tërësinë e kuptimit shtetësi. Një prezantim i tillë shtetëror në këtë takim rajonal do të kishte impaktin e mëpastajshëm dhe do të reflektonte arsye për gjithë veprimet e mëtutjeshme në vazhdën e kësaj nisme. Ky reflektim do të vinte që në takimin e Beogradit kur Serbia do të kishte vështirësi ta ftonte Kosovën në cilësinë e të qenit shtet.
Pra minishengeni nga një vullnet në eter nuk mund të kthehet në një ndërmarrje në terren pikërisht për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe për epiqendrën impaktuese që Kosova bartë në vete qoftë si gjeografi qoftë si etni.

Ashtu sikurse vërshimi i ekonomisë serbe u ndërpre me vënien e taksës edhe minishengeni nuk do mund të shkojë përtej një fluiditeti informal të kufijve tanë derisa Kosova të mos njihet nga Serbia.
Minishengeni si iniciativë është e mirë, veçanërisht në kohën kur integrimeve evropiane nuk u shihet filli dhe rajoni po e vuan bombën demografike. Zbrazja e rajonit po shkon drejt fatales dhe kjo duhet ndalur me zhvillim i cili nuk vjen pa u bërë interes investimesh për ekonomitë e mëdha. Pikërisht minishengeni është një ndër mundësitë gati të vetme përmes së cilës rajoni do të marrë vlerë interesimi të investuesve, por edhe rritë mundësitë e zhvillimit të brendshëm.

Studiues të shumtë mund të shohin me imtësi ashtu sikur shohin mundësitë edhe rreziqet e brendshme. Ato mund të ndikohen nga historia, por edhe nga brishtësia e rajonit. Kjo brishtësi vjen nga çështjet e pazgjidhura. Rajoni pushon në një gjendje lënë pezull. Çështja shqiptare dhe ajo serbe mbeten kryefjala destabilizuese e rajonit. Nga këto dy çështje nuk mund ta gjejnë paqen as boshnjakët, as maqedonasit dhe as malazezët.
Bazuar në këtë brishtësi rajonale dhe në zhvillimet e dekadave të fundit për të shkuar te minishengeni së pari do zgjidhur nyja kosovare. Pranimi i shtetit të Kosovës nga Serbia ose bashkimi i Kosovës në Shqipëri. Pa u zgjidhur kjo, rajoni as mund të ketë minishengen, as integrime të brendshme. Mirëkuptimet që kemi sot si kamuflime projektesh kundër njëri-tjetrit e bëjnë minishengenin të parealizueshëm, ndoshta edhe kërcënues!
Sfida minishengen e ka fatin e prerë sikur thamë nga fakti i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia. Na mbetet të shohim dimensionin tjetër reflektues të kësaj nisme me fat të prerë, vetëdijesimin!

Integrimet nuk mund e as do të ndodhin ndonjëherë në terma të jopërcaktuar të cilët nuk shprehin tërësi të vetëkontrolluara për të cilat ka përgjegjësi dhe njihet kjo përgjegjësi. Rregulla vendosin identitetet, të thirrurit e ligjshëm dhe ato bëhen norma sjelljeje në përgjegjësi të emëruar. Pra, në paqenësi nuk mund të vësh rregulla. Trajtesa serbe dhe boshnjake për Kosovën është paqenësi dhe si e tillë ajo nuk mund të prodhojë veprim në iniciativë që mëton rregulla sjelljeje. Bazuar në këtë lehtësisht konstatohet se minishengen të mirëfilltë rajonal nuk do të ketë as mund të ketë. Mund të ketë një kryeneçësi pushtetarësh që do ta përdorin autoritetin e tyre për t’i dhunuar marrëdhëniet rajonale. Kjo dhunë e hipotezuar sot, që nesër mund të bëhet realitet kokëboshësh, mund të shndërrohet në projekte zhvillimesh dramatike. Sigurisht, ka në afërsi të rajonit forca të interesuara të cilat duan ta nisin një cikël të ri lëvizjesh territoriale e që ndihmojnë të fillohet si e pranuar e së drejtës ndërkombëtare pikërisht nga këtu, nga Ballkani ynë, meqë me Kosovën si realitet të ri dhe lëvizjen e kufijve të saj, mund të goditet më lehtë shpërbërja e Bosnjës dhe Maqedonisë.

Në vektorizimin e kësaj tendence drejt Krimesë e jo vetëm atje, vetëdijesimi duhet ta bëjë punën e vet dhe në para-minishengen rajoni duhet të punojë në njohjen e Kosovës nga Serbia si instanca e fundit për ta qetësuar rajonin, ndryshe Shqipëria dhe Kosova duhet ta mendojnë me prioritet integrimin e secilës fushë. Them integrimin e fushave sepse bashkimi i sotëm i Kosovës me Shqipërinë kalon përmes dy rrugëve të mundshme: njëra shkon përmes njohjes serbe për Kosovën dhe karrigia në OKB prej ku do të fitohej e drejta e bashkimit me vullnet dhe tjetra aneksimi i Kosovës nga Shqipëria si e drejtë historike dhe përkatësie që, në fakt, do të sillte zhvillime domino në rajon dhe jo vetëm në rajon, por kjo do të kërkonte një mbyllje sysh nga NATO-ja si garantuese e paqes këtu. Bërjen realitet të së dytës mund ta jetësonte lëvizja e masave, ku populli i të dy anëve të kufirit do të fillonte te padëgjueshmërinë e lëvizjes mbi kufijtë dhe gjithçka tjetër do të bëhej normalitet i vetëm një funksionimi në frymë e materie të gjithçkaje që nënkupton të qenit një shtet i vetëm.

Vetëdijesimi është një ndërmarrje e vështirë. Ai do vetëdije dhe qëllim. Nëpër qëllime të shpërndara nga stacioni në stacion nuk mund të ndërtohet vetëdijesim. Çështja shqiptare si e tërë është filli i çdo integrimi me të tjerët. Na takon, në harmoni me kohën që jetojmë, t’i çojmë përpara integrimet brenda shqiptare në gjithë realitetet e tyre sot dhe nga kjo t’i mësojmë kahet integruese për proceset në vijim. Vetëm pas kësaj dhe në qartësi të interesave vetjake ne mund të ndërtojmë marrëdhënie të shëndosha integruese në minishengenin e aq nevojshëm për rajonin. Kështu sikur jemi të shpërndarë dhe të papërqendruar në artikulimin e interesit që buron nga çështja jonë parakoha e iniciativave pa edhe e minishengenit do të përplaset e shpërbëhet në statutin e Kosovës si funksionalitet dhe realitet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka uruar kryetarin…