Ministri Bytyqi raportoi para komisionit për raportin e auditimit

23 mars 2018 | 16:26

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar të premten para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike për raportin e auditimit, pra të gjeturat e auditorit të përgjithshëm për vitin 2016 dhe përmbushjen e rekomandimeve të dala nga ky raport.

Ai fillimisht ka theksuar se po bëhet fjalë për një periudhë ku ai nuk ka qenë në krye të këtij dikasteri. “Ne jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë që kanë dalë edhe nga ky raport, por edhe rekomandimet që vijnë nga Komisioni”, është shprehur Bytyqi.

Ministri ka deklaruar se në raportin e auditimit për vitin 2016 kanë dalë 21 rekomandime, që është një numër jo i vogël, por ka pohuar se një numër i madh i tyre tashmë janë plotësuar. “Dhjetë rekomandime tanimë janë plotësuar, nëntë prej tyre janë në proces të implementimit dhe dy rekomandime nuk janë plotësuar”, është shprehur ai.

Një nga rekomandimet që nuk është plotësuar ka të bëjë me angazhimin e një kompanie për përcjelljen e projekteve që kryhen nga ana e MAShT-it. “Ne ende mendojmë se nuk ka nevojë për angazhim të tillë, sepse është një kosto shtesë për Ministrinë dhe ne kemi mundësi që me stafin tonë profesional t’i mbikëqyrin këto çështje”, ka deklaruar ministri Bytyqi.

Ndërsa, sa i përket pikës tjetër që nuk është plotësuar ende e që ka të bëjë me njësinë e auditimit të brendshëm të MAShT-it, ministri Bytyqi ka theksuar numrin e vogël të auditorëve të brendshëm.

Ai ka thënë se ky numër duhet të rritet për shkak të fushëveprimtarisë së gjerë të MAShT-it.
Sa i përket rekomandimeve që janë plotësuar pjesërisht, ministri Bytyqi ka thënë se brenda një kohe të shkurtër do të përmbushen plotësisht.

Në anën tjetër, Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ndër të tjera, ka kërkuar që MAShT të hartojë planin e veprimit për përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga raporti.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar seanca dëgjimore për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të…