Ministri Peci jep detaje për ndarjen e subvencioneve për bujqit

28 gusht 2022 | 13:50

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci, në një konferencë për media, ka njoftuar të dielën se për një periudhë dyjavore kjo ministri ka proceduar për pagesë gjithsej 24.9 milionë euro për bujqit përfitues në kuadër të Programit për Pagesa Direkte 2022/Subvencione.

Peci ka deklaruar se nga mjetet e ndara nga subvencionet kanë përfituar 16 mijë e 593 aplikues.

Ai ka bërë me dije se edhe në vijim do të vazhdohet me procesimin e mjeteve për përfituesit e tjerë në kuadër të këtij programi.

Gjithashtu, ministri Peci, ka njoftuar se është mbyllur periudha e aplikimit për Programin për Zhvillim Rural /Grante në bujqësi në vlerë prej mbi 26 milionë euro dhe nga mesi i javës së ardhshme “do të fillojmë me procesin e vlerësimit të projekteve”.

“Duke pasur për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e shqyrtimit dhe vlerësimit të projekteve të granteve, MBPZhR-ja në bashkëpunim me CIVIKOS-in ka hapur thirrjen për anëtarë të shoqërisë civile, të cilët do ta monitorojnë këtë proces. Thirrja është e hapur deri me datë 31 gusht, andaj ju ftoj që të bëheni pjesë e këtij procesi, për të mbrojtur e garantuar kështu vlerësimin meritor për të gjithë të involvuarit në proces”.

“MBPZhR-ja përmes njoftimeve të shumta për kultivuesit e grurit ka bërë thirrje që dëshmia për sasinë e dorëzuar të grurit dorëzohet në drejtoritë komunale për bujqësi në komunat përkatëse deri më 02 shtator 2022 në ora 16:00. Pagesa për këtë kategori, në vlerë prej 0.03 euro/kg, do të realizohet pas kësaj date si pagesë e veçantë për të gjithë aplikuesit të kulturës së grurit që dëshmojnë sasinë e dorëzuar të grurit, bazuar në kriteret e parapara me Programin e Pagesave Direkte 2022, konkretisht Udhëzimin administrativ nr.02/2022. Vlen të theksojmë se thirrja për aplikim për gjashtëmujorin e parë për qumështin sipas cilësisë, thirrjet e raportuara, akuakulturë dhe e viçave për majmëri ka përfunduar me datë 19.08.2022 dhe numri total i aplikuesve është 1 414 fermerë”, ka thënë Peci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, nga mbledhja e përgjithshme e…