Ministri Reçica demanton deputetin Syla rreth çështjes së lajmërimit të veteranëve

14 tetor 2020 | 21:26

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të AAK-së, Gazmend Syla, i cili ka thënë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka marrë vendim që çdo veteran duhet të lajmërohet në zyret e kësaj ministrie dy herë në vit.

Reçica ka thënë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk ka marrë asnjë vendim të ri për lajmërim të përfituesve të skemave përfituese nga MPMS, si dhe kategorive të dala nga lufta.

“Për njoftim të deputetit Gazmend Syla por edhe të opinionit publik ne nuk kemi nxjerrë asnjë vendim të ri, por kategoritë e dalura nga lufta dhe të gjitha kategoritë tjera përfituese nga skemat e pensioneve dhe beneficioneve që administrohen nga MPMS duhet të lajmërohen në periudha të caktuara sipas legjislacionit në fuqi”, ka shkruar ministri Reçica.

Postimi i plotë i tij:

Të nderuar qytetarë,

Për hir të opinionit publik, dua të ju informoj se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk ka marrë asnjë vendim të ri për lajmërim të përfituesve të skemave përfituese nga MPMS, si dhe kategorive të dalura nga lufta.
Në kohën e pandemisë, ashtu siç ishte edhe kufizimi i lëvizjeve, janë pezulluar lajmërimet për të gjitha kategoritë bazuar në rekomandimet e IKSHP/MSH.

Me rastin e lirimit të masave nga Qeveria me rekomandim të IKSHP, është dashur që të gjitha kategoritë të lajmërohen, sipas legjislacionit në fuqi, duke respektuar masat kundër Covid 19 dhe me këtë rast kemi njoftuar qytetarët se mund të lajmërohen deri më 31.12.2020, pa pasoja të suspendimit nga skema.

Për njoftim të deputetit Gazmend Syla por edhe të opinionit publik ne nuk kemi nxjerrë asnjë vendim të ri, por kategoritë e dalura nga lufta dhe të gjitha kategoritë tjera përfituese nga skemat e pensioneve dhe beneficioneve që administrohen nga MPMS duhet të lajmërohen në periudha të caktuara sipas legjislacionit në fuqi.

Kjo çështje është e rregulluar me ligj, madje dua të besoj që deputeti Syla këtë çështje e ka të njohur ngase në kohën e Qeverisë Haradinaj ka drejtuar Zyrën për Çështje të kategorive të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të zyrës së Kryeministrit.

Nëse IKSHP/MSH rekomandon për shtrëngimin e masave kundër Covid 19, atëherë MPMS do të veprojë sipas tyre. Ndërsa ne si bartës të dikastereve të institucioneve jemi te obliguar që të zbatojmë legjislacionin në fuqi, por gjithashtu të veprojmë sipas rekomandimeve të MSH, me rastin e pandemisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Greqia ka shpërdoruar një rast të mirë për të kaluar…