Ministri Shala: Top prioritet i imi është përkrahja e prodhuesve vendorë

18 prill 2019 | 13:31

Me ftesë të Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka marrë pjesë në platformën “Business Talks”, ku ka bashkëbiseduar me bizneset.

Shala ka theksuar se top prioritet i tij si ministër është përkrahja e prodhuesve vendorë dhe fuqizimi i tyre.

“Përmes kësaj synojmë rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, ka thënë Shala.

Ai ka potencuar se MTI-ja ka bërë ndryshim të udhëzimit administrativ në Ligjin për Investime Strategjike, dhe pas kësaj kanë pranuar mbi 15 aplikacione nga investitorët potencial.

“Sowi Kosova L.LC ka marrë statusin e investitorit dhe do ta bëj investimin më të madh direkt në Kosovë, 169 milionë euro. Siç tashmë e dini, kemi bërë ofertë konkrete edhe për gjigantin gjerman të prodhimit të veturave ‘Volkswagen’, dhe po ashtu jemi në proces të draftimit edhe shumë letra-ofertave edhe për kompani të tjera, duke dëshmuar fokusin kryesor në rritjen e investimeve të huaja”, ka theksuar ministri Shala.

Ai ka shtuar se mbrojtja e konsumatorit është po ashtu prioritet, që sipas tij kjo është dëshmuar me punë konkrete, duke asgjësuar mbi 17 mijë njësi të lodrave që kanë ardhur nga tregu aziatik të cilat kanë rezultuar se janë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve.

“Puna do të vazhdojë edhe në dikastere tjera, por prioritet absolut i imi është dhe do të mbetet përkrahja e prodhimit vendor, rritja e investimeve të huaja dhe mbrojtja e konsumatorit”, ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I ka hyrë i vetëm garës për president. Madje fushatën…