Ministri Sveçla pas protestës së NjSI-së: Prej marrjes së mandatit, policia e ka mbështetjen më të madhe financiare

09 dhjetor 2023 | 14:11

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas protestës së sotme të Njësisë Speciale Intervenuese, Sindikatës së Policisë dhe njësiteve të tjera.

Sveçla tha se për Policinë e Kosovës, që nga marrja e mandatit, buxheti është rritur për 30 për qind, ndërkaq në investime kapitale rritja tha se është 300 për qind.

“Buxheti për pajisje operacionale ka qenë më pak se gjysmë milioni, ndërkaq sot është mbi 9 milionë euro apo 21-fish më shumë. Bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit përmes së cilës të gjitha shërbimet shëndetësore në të gjitha rajonet e Kosovës, do të ofrohen për zyrtarët policorë me prioritet dhe pa asnjë pagesë”.

“Me marrjen e mandatit nga ne Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë”.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme për detyrë e kemi të mendojmë e përkujdesemi për tërësinë dhe kështu duke u lëshuar në secilën prej 9 agjencive ekzekutive e pastaj trajtim specifik për njësitë përbrenda secilës agjenci veç e veç, gjithnjë duke pasur parasysh mundësitë reale dhe qasjen e drejtë”, tha Sveçla.

Më tej, ai tha se sakrifica asnjëherë s’mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim, pasi sipas tij, kjo formë përveçse e dëmshme, është edhe e pamundur.

“Asnjë sakrificë të popullit shqiptar në histori, të asnjë individi nuk do të mund ta shpërblejmë për ta barazvlerësuar sepse jeta është e paçmueshme. Ajo nuk ka çmim. Asnjë çmim, asnjë shpërblim nuk do të jetë i barazvlefshëm, asnjëherë, me jetën porse ky është angazhimi ynë për vendin”.

“Gjatë kësaj kohe së bashku kemi bërë shumë punë të mira në drejtim të luftimit të krimit, korrupsionit e kontrabandës, pavarësisht se nga gjyqësori s’është se jemi ndihmuar shumë. Veçanërisht kemi shtrirë integritetin, sovranitetin dhe sigurinë në veri të vendit”.

“Nuk besoj që ka pagë që do të na nxiste ta bënim këtë, por kemi bërë maksimumin që përbrenda mundësive tona të trajtojmë secilin njësit të Policisë së Kosovës ashtu siç e meriton”, tha ai.

Tutje, i pari i MPB-së tha se ishte i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën do ta gjenin sigurinë në Kosovë dhe gjendjen, sipas tij, të mjerueshme në aspektin infrastrukturor dhe financiar në polici.

“Por me shumë punë e angazhim, pavarësisht secilës sfidë, kemi bërë punë të mira e do të vazhdojmë të bëjmë. Të gjithë së bashku kemi shtruar një rrugë të drejtë e të sigurt të ndryshimit të gjendjes së sigurisë në vend dhe kjo rrugë nuk ka më kthim mbrapa”.

“Kushdo që në çfarëdo forme, për interesa personale apo grupore tenton të përdorë situata të ndryshme me qëllim të zbehjes së këtyre angazhimeve është i predispozuar që të dështojë.  Ne nuk do të ndalemi. Sepse ne jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prezencën e tyre në sheshe i shohim vetëm në festa…