Ministri Vitia takon deputetin Haxhiu, flasin për sigurimin e vaksinës ‘Pfizer’

18 prill 2021 | 17:24

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.

Lajmin e ka bërë me dije Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”.

“Me ftesë të ministrit, Arben Vitia, sot zhvilluam së bashku një takim, në zyrët e Ministrisë së Shëndetësisë. Takimi kishte për qëllim shqyrtimin e ofertës dhe kontakteve me akterët që mund të na ndihmojnë në sigurimin e vaksinës ‘Pfizer’, të cilat kontakte ia kam dërguar ministrit me email para dy ditësh. Ministrit Vitia, sekretarit Bardiqi dhe ekipit të MSh-së zyrtarisht ua ofrova komunikimin dhe kontaktet që i kam pasur me kompaninë e cila po na e ofron mundësinë e sigurimit të 500 mijë deri në 3 milionë vaksina ‘Pfizer’. Ministri Arben Vitia më falënderoi për gatishmërinë time që t’i ndihmoj në këtë proces, sepse sigurimi sa me i shpejtë i vaksinave është shpëtim jete”, ka njoftuar deputeti Haxhiu.

Ai ka treguar se ministri Vitia dhe sekretari Bardiqi u zotuan se Komiteti i MSh-së për sigurim të vaksinave, do të kontaktojë kompaninë e cila mund të na i sigurojë një numër të jashtëzakonshëm të dozave me vaksinën ‘Pfizer’.

“Tani i takon Ministrisë së Shëndetësi që të punojë me seriozitet, përgjegjësi dhe përkushtim në procedurat e mëtutjeshme për sigurim të vaksinave anti Covid-19. Pavarësisht a jemi pozitë apo opozitë në këtë situatë të gjithë së bashku duhet të punojmë për të mirën e shëndetit të qytetarëve. Virusi po vret çdo ditë qytetarët e Kosovës pa dallim partie politike dhe partitë pa dallime politike duhet të punojnë për të mposhtur pandeminë. Sigurisht se përgjegjësinë kryesore e ka subjekti politik që është në Qeveri. Për më shumë se një vit pandemi të gjithë kemi humbur njerëz të dashur si pasojë e virusit Covid-19, prandaj vaksina është shpëtim jete!”, ka njoftuar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Momente feste për Ardian Ismajlin. Mbrojtësi shqiptar e ka gjetur…