Ministria e Drejtësisë do t’i ulë tarifat e përmbaruesve privat

02 nëntor 2021 | 14:08

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për tarifat e përmbaruesve privat.

Zëvendësministri Sallahu gjatë fjalës së tij ka thënë se ky grup është themeluar me qëllim të ndryshim plotësimit të udhëzimit për tarifat e përmbaruesve privat duke marrë parasysh vështirësitë dhe mangësitë tashmë të identifikuara në praktikën e zbatimit të tarifave të përmbarimit dhe në veçanti faktit se udhëzimi aktual lë hapësirë për interpretime rreth çështjes së gjenerimit të tarifave.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet e duhura, Sallahu ka thënë se Ministria e Drejtësisë me mbështetjen e programit të USAID-it për drejtësi komerciale ka kryer analizën e studimit të kostove të shërbimeve përmbarimore nga përmbaruesit privat, si dhe analizën krahasuese të shërbimeve të përmbaruesve privat të Kosovës me ato të vendeve të rajonit.

“Ministria e Drejtësisë ka vendosur që të ketë rishikim të tarifave, respektivisht ulje të tyre”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, zëvendësministri Sallahu ka bërë me dije se krahas procesit të rishikimit të tarifave, Ministria e Drejtësisë ka finalizuar edhe ndryshim plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore, i cili adreson çështjen e ndarjes së barabartë të lëndëve të pranuara nga institucionet publike me qëllim të garantimit të funksionimit të zyrave përmbarimore, si dhe eliminimin e krijimit të monopoleve.

Zëvendësministri Sallahu ka theksuar se Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në përmirësimit të transparencës, llogaridhënies dhe profesionalizmit të sistemit të përmbarimit privat të Kosovës dhe në ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Grupi punues udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë dhe në marrin pjesë përfaqësues nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përmbaruesi privat, Oda e Avokateve të Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, si dhe përfaqësuesi i Projektit CILC që mbështet përmbarimin.

Ky proces mbështetet nga Programin për Drejtësi Komerciale i USAID-it.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti sot ka marrë pjesë në rihapjen e…