Ministria e Drejtësisë synon rritjen e numrit të prokurorëve për hetimin e krimeve të luftës
Ministria e Drejtësisë e Kosovës (MD) synon që përmes rishikimit të buxhetit që pritet të shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës, të sigurojë mjetet financiare për shtimin e numrit të prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesionalë dhe stafit tjetër mbështetës për Departamentin e Krimeve të Luftës në Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Njoftimi u bë pas një takimi të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“Ministria e Drejtësisë është e gatshme që përmes rishikimit të ligjit të buxhetit të ndajë mjete që do të mundësojnë rekrutimin e 4 prokurorëve të rinj, 6 bashkëpunëtorëve profesional dhe 2 pjesëtarë të stafit tjetër mbështetës, përkatësisht përkthyes në Departamentin e Krimeve të Luftës”, thuhet në njoftimin për media.
Ministrja Haxhiu ka theksuar se rritja e kapaciteteve për hetimin e krimeve të luftës është i domosdoshëm pasi shumë shpejtë do të “miratohen ndryshimet e nevojshme ligjore përmes të cilave mundësohet hetimi por edhe gjykimi në mungesë i kriminelëve të cilët kanë kryer krime lufte”.



