Ministria e Jashtme: Jemi në kontakt me familjet e viktimave të aksidentit që ndodhi në Vjenë

18 mars 2026 | 13:03

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi në Vjenë të Austrisë.

Ministria ka bërë me dije  se përmes kanaleve diplomatike dhe konsullore po ofron mbështetjen e nevojshme për familjarët.

Njoftimi i plotë i MPJD-së

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se dje rreth orës 14:15, në Vjenë të Republikës së Austrisë, ka ndodhur një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën disa persona.

Sipas informacioneve zyrtare të konfirmuara nga autoritetet austriake, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund të Vjenës gjatë punimeve ndërtimore, ku si pasojë e shembjes së një pjese të konstruksionit, punëtorë kanë mbetur të zënë nën rrënoja.

Bazuar në konfirmimet zyrtare dhe në informacionet e siguruara përmes kontakteve me familjarët, deri në këto momente është konfirmuar se nga viktimat e identifikuara janë Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj me prejardhje nga Republika e Kosovës.

Që nga marrja e informacionit, institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kanaleve diplomatike dhe konsullore, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të lehtësuar procedurat përkatëse për kthimin e trupave të tyrë në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave si dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Faruk Loki shpall të humbur certifikatën e firmës “Loku Dekor”…