Ministria e Kulturës mbështet realizimin e librit monografik për Nexhmije Pagarushen

01 tetor 15:11

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur të hënën në takim përfaqësuesin e organizatës “Integra” Kushtrim Koliqi, me të cilët ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Qëllimi i nënshkrimit të memorandumit është mbështetja financiare për realizimin e monografinë për këngëtaren, Nexhmije Pagarusha, e cila ka dhënë kontribut unik jetësor në pasurimin kulturor, social, ekonomik dhe politik të Kosovës.

Libri do të vijë si histori e shtrirë në formë romani me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i Pagarushës.

Monografia për Nexhmije Pagarushën do të përmbledhë gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj prej artisteje.

I ndarë në disa kapituj, libri do të paraqesë rrugën e këngëtares nga fëmijëria deri në ditët e sotme.

Vet këngëtarja me rrëfimin e saj artistik e jetësor do të jetë boshti i rrëfimit të librit që do të publikohet në konturat e një romani.

Me këtë rast, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se është i lumtur për nënshkrimin e këtij memorandumi.

“Monografia do të vë në pah rëndësinë e karrierës muzikore të Pagarushës, që përfaqëson një pjese vitale të trashëgimisë shpirtërore të vendit tonë”, ka theksuar ai.

Ministri Gashi ka treguar se ky projekt zbatohet në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore, duke theksuar se libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe brezave të rinj.

Ndërkaq, organizatori ekzekutiv i organizatës “Integra” Kushtrim Koliqi, ka  falënderuar ministrin dhe Departamentin e Trashëgimisë, për gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti me rëndësi të madhe në fushën e kulturës e të trashëgimisë.

Ai ka shpjeguar se përveç rrëfimit të këngëtares Pagarusha si bosht i rrëfimit të librit intervistat me muzikantë të tjerë që kanë punuar në këngët e Pagarushës, do të plotësojnë rrëfimin e saj.

“Pos këtyre, pjesë e monografisë do të jenë edhe të gjeturat e hulumtimeve që do të bëhen në arkivat e kohës. Tekstet apo kritikat që i janë bërë veprave të saj po ashtu do të jenë pjesë e librit. Kësisoj, libri do të kompletohet edhe me fotografitë e shkrepura në kohëra të ndryshme përgjatë karrierës së Pagarushës, në mënyrë që pos rrëfimit të saj, periudhat të dokumentohen edhe me pamje”, ka deklaruar Koliqi.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, u…