Ministria e Rozeta Hajdarit, konfirmon që motra e deputetit të LVV-së është bërë U.D. e Kryeinspektores së Tregut

04 dhjetor 2021 | 23:14

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka reaguar lidhur me emërimin e motrës së deputetit të LVV-së si U.D. të Kryeinspektores së Tregut.

Demokracia.com sot ka raportuar se Lebibe Haliti, e cila më herët ishte Udhëheqëse e Sektorit për Çështje Juridike në Inspektratin e Tregut, ditë më parë është emëruar U.D. e Kryeinspektores së Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Lebibe Haliti është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti. Përveç motrës së deputetit të LVV-së, Qeveria Kurti e kishte rehatuar më herët në një pozitë mjaft të lartë brenda Qeverisë së Kosovës edhe mikun e deputetit Enver Haliti. Bëhet fjalë për Besim Imerin, i cili ishte emëruar udhëheqës i Njësisë së Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike.

Në reagimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë konfirmohet edhe vetë emërimi i Lebibe Halitit si U.D. e Kryeinspektores së Tregut, ndonëse kjo ministri parapëlqen ta quaj atë zëvendësuese e jo Ushtruese e Detyrës dhe të caktuar e jo të emëruar.

Duke e konfirmuar edhe vetë lidhjen familjare, ministria që drejtohet nga Rozeta Hajdari i cilëson si të pavërteta dhe dashakeqe lajmet se Lebibe Haliti është caktuar zv/kryeshefe e Inspektoratit të Tregut për shkak të ndikimit të vëllait të saj deputet.

Ky është sqarimi i plotë i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë:

SQARIM RRETH CAKTIMIT TË ZV/KRYESHEFES SË INSPEKTORATIT TË TREGUT

Që nga 24 nëntori 2021, kur Qeveria ka shfuqizuar emërimin e paligjshëm të ish-kryeshefit të Inspektoratit të Tregut, pozita ka mbetur e zbrazët. Kjo pozitë zëvendësohet nga Udhëheqësi i Sektorit për Sigurinë e Produkteve, pozitë e cila është e pezulluar që nga zgjedhjet lokale të 14 tetorit 2021, që udhëhiqej nga z. Ruzhdi Shehu – kandidat për Kryetar të Komunës së Junikut, dhe nga Udhëheqësja e Sektorit për Çështje Juridike, që udhëhiqet nga znj. Haliti.

Andaj, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, e ka caktuar zëvendësuese të kryshefes së Inspektoratit të Tregut, znj. Lebibe Haliti.

Legjislacioni në fuqi ia njeh asaj të drejtën për të ushtruar detyrën e drejtuesit të Inspektoratit deri në përzgjedhjen kryeshefit/es përmes konkursit.

Në përmbyllje, janë të pavërteta dhe dashakeqe lajmet se znj. Haliti është caktuar zv/kryeshefe e Inspektoratit të Tregut për shkak të ndikimit të vëllait të saj deputet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik,…