Ministria e Shëndetësisë: Këtë vit rrezikohet seriozisht furnizimi me barna

16 prill 2021 | 11:50

Me qëllim të rritjes së transparencës ndaj publikut, Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka informuar publikun në lidhje me gjendjen sa i përket furnizimeve me barna dhe material shpenzues në sektorin publik, përkatësisht në kujdesin parësor shëndetësor që furnizohen nga kjo ministri dhe programet e veçanta.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se buxheti i alokuar për programin farmaceutik të MSh-së dedikuar për furnizim të institucioneve shëndetësore me barna dhe material shpenzues nga lista esenciale për vitin 2021 është 5 milionë e 550 mijë euro, ndërsa ai i vitit 2020 ka qenë 11 milionë e 476 mijë e 913 euro.

“Lista esenciale për furnizim të nivelit primar numëron gjithsej 282 artikuj prej të cilëve 206 janë barna, ndërsa 76 material shpenzues. Numri momental i kontratave të nënshkruara për barna është 24, apo shprehur në përqindje 11.65 për qind. Numri momental i kontratave të nënshkruara për material shpenzues është 12, apo shprehur në përqindje 15.79 për qind. Numri i artikujve që Ministria e Shëndetësisë momentalisht i ka në dispozicion është 109, apo shprehur në përqindje 38.6 për qind. Sipas kësaj, qëndrueshmëria e artikujve që MSh ka në dispozicion (109) për shumë artikuj është jo më e madhe se gjashtë muaj (do të shpenzohen brenda kësaj periudhe)”, ka njoftuar MSh-ja.

Bazuar në këto të dhëna, MSh-ja ka vlerësuar se vijueshmëria e furnizimit të rregullt me barna dhe material shpenzues nga lista esenciale gjatë këtij viti rrezikohet seriozisht.

“MSh-ja është duke u angazhuar maksimalisht që ta përmirësojë këtë situatë përmes veprimeve konkrete dhe, pas analizimit të hollësishëm të arsyeve që e kanë krijuar këtë situatë, do të marr hapa konkret, që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm i institucioneve shëndetësore të nivelit parësor (QKMF-ve) me artikujt e nevojshëm nga lista esenciale e barnave”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pronari i klubit ndërkombëtar Inter Miami, David Beckam, i cili…