Ministria e Shëndetësisë: Mbi 90 për qind e viktimave ishin të pavaksinuar

29 gusht 2021 | 18:07

Shumica e viktimave që u shënuan të dielën në Kosovë kanë qenë të pavaksinuar kundër koronavirusit.

Sot Kosova regjistroi 36 viktima, që është numri më i lartë i viktimave të regjistruara brenda një dite, që prej shfaqjes së pandemisë në mars të vitit 2020.

Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se mbi 90 për qind të viktimave të regjistruara kanë qenë të pavaksinuar.

Nga kjo ministri kanë thënë se viktimat kanë pasur edhe sëmundje shoqëruese

“Mbi 90 për qind të viktimave të regjistruara, fatkeqësisht kanë qenë të pavaksinuar”, tha për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti, zëdhënës në MSH.

Në Kosovë administrohen vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, të cilat jepen përmes dy dozave.

Sipas ekspertëve shëndetësorë, një person konsiderohet plotësisht i vaksinuar dy javë pasi të ketë marrë dozën e dytë të vaksinës.

Varianti Delta që është variant më ngjitës i virusit është bërë variant dominues edhe në Kosovë.

Sipas një studimi të publikuar në The New England Journal of Medicine, personat e vaksinuar nuk janë plotësisht imunë nga infeksionit me koronavirus, por edhe nëse infektohen, ata kanë të ngjarë të përjetojnë simptoma të buta ose aspak simptoma.

Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) thotë se disa të dhëna tregojnë se te personat e pavaksinuar, varianti Delta mund të shkaktojë më shumë sëmundje të rënda, sesa variantet paraprake.

Në dy studime të ndara, në Kanada dhe në Skoci, pacientët e infektuar me variantin Delta, për shkak të gjendjes së tyre, kishin më shumë mundësi të përfundonin të shtrirë në spital, sesa pacientët me variantin Alfa, ose atë fillestar të COVID-19. Ndërkaq, shumica e madhe e personave që janë shtrirë në spital dhe e personave që kanë vdekur nga COVID-19, ishte e pavaksinuar.

Megjithatë, sipas CDC, personat që janë të vaksinuar plotësisht, dhe janë infektuar me variantin Delta, mund ta përhapin atë te të tjerët, mirëpo për një kohë më të shkurtër.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të dielën se viktimat ishin të grupmoshave të ndryshme.

Njëmbëdhjetë viktima bënin pjesë në grupmoshën 60-69 vjeç, tetë ishin të grupmoshës 80 vjeç e sipër, nëntë në atë 70-79 vjeç, tri viktima të grupmoshës 50-59 dhe atë 30-39 vjeç, një viktimë i përkiste grupmoshës 40-49 vjeç dhe një viktimë ishte e grupmoshës 20-29 vjeç.

Sipas të dhënave, që prej 13 marsit 2020 e deri më 29 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 142.671 raste me koronavirus dhe 2.457 viktima.

Autoritetet qeveritare e kanë cilësuar si të rëndë situatën me pandeminë në Kosovë dhe më 28 gusht, Qeveria e Kosovës njoftoi për masa të reja kundër pandemisë.

Ndërkaq, sa i përket fushatës së vaksinimit, MSH-ja njoftoi se brenda një dite janë administruar 11.458 doza.

Në total, Kosova ka administruar 808.078 doza, ku 269.312 persona janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi 36 persona…