Ministrja Hoxha në Lisbonë: BE-ja të jetë më efektive dhe kohezive

08 prill 2019 | 17:17

Konferenca Globale Horasis, e cila po mbahet në Lisbonë të Portugalisë, dedikuar perspektivave të BE-së me moton “Viti 2019 është viti i përtëritjes së Bashkimit Evropian”, ku po marrin pjesë qindra personalitete nga të gjitha kontinentet, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka mbajtur fjalë rasti, duke theksuar se Ballkani Perëndimor po përballet me shumë sfida që kërkojnë veprim të njëzëshëm nga BE-ja.

“Republika e Kosovës e sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian të lidhur ngushtë me vlerat, perspektivat, sfidat dhe shqetësimet e BE-së. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të ndërtojmë dhe të thellojmë partneritetet në mënyrë që të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të sigurojmë mbështetje të ndërsjellë”, ka thënë ministrja Hoxha.

Ajo ka potencuar po ashtu faktorët që dobësojnë procesin e vendimmarrjes së BE-së si dhe procesin e liberalizimit të vizave me BE-në. “Përkundër që qytetarët e Kosovës janë më pro BE-së në Evropë, Kosova është i vetmi vend me regjim të vizave. Prandaj, liberalizimi i vizave është një çështje kyçe për Kosovën, por edhe për kredibilitetin e BE-së”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka shtuar se me gjithë izolimin e vazhdueshëm, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj reformave në sektorët e ndryshëm.

“Përkundër mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga 5 shtete anëtare të BE-së, Republika e Kosovës mbetet vendi më pro BE në Evropë”, ka thënë ministrja Hoxha, duke shtuar se BE-ja është gurthemeli i stabilitetit dhe prosperitetit evropian.

“Duke ardhur nga Ballkani Perëndimor, rajon që ka nevojë për mbështetje nga BE-ja si politikisht edhe ekonomikisht, shqetësohemi për ngadalësimin e procesit integrues. Besoj se do të transformohet BE-ja në një entitet më efektiv dhe koheziv. Ne po bëjmë reformën e administratës, po sjellim legjislacion në përputhje me Acquis, zbatojmë ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Por, ende nuk jemi të kënaqur me zbatimin efektiv të ligjeve”, ka thënë ministrja Hoxha.

Konferenca Globale Horasis 2019 po mbahet në një moment historik, në të cilin zemërimi i globalizimit po vërshon në mbarë botën, thuhet në dokumentet e konferencës.

Pjesëmarrësit diskutuan mënyrat për të rivendosur besimin në idenë e globalizimit të baraspeshuar me plane të hartuara vepruese për të siguruar që frytet e globalizimit të jenë të shpërndara në mënyrë më të barabartë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Feronikelit po ecën sigurt drejtë titullit të kampionit…