Ministrja Hoxha në Vjenë: BE-ja të vlerësojë drejt të arriturat tona

30 janar 2019 | 10:42

Në Konferencën e 16-të, com-sult, në Vjenë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në diskutimin me temën “Formimi i të Ardhmes“, ka trajtuar çështjen “BE dhe fqinjët e saj juglindorë: Sfidat dhe mundësitë në Ballkan”

Në fillim, ministrja Hoxha foli për perspektivën e Kosovës por edhe vendeve tjera në rajon, të ardhmen e saj evropiane, duke qenë qëllimi i përbashkët, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne jemi të vetëdijshëm se procesi është sfidues dhe kërkon shumë punë dhe reforma për t’u ndërmarrë dhe Qeveria e Kosovës ka shprehur angazhimin e saj për këtë rrugë përpara. Unë besoj fuqishëm se pjesa më e rëndësishme ku BE-ja duhet të përqendrohet- është procesi i zgjerimit”, ka thënë ministrja.

“Është e qartë se BE ka rregullat e veta për pranimin dhe vendet e Ballkanit kanë ende punë për të bërë me reformat thelbësore që prekin sektorët më të rëndësishëm, megjithatë BE duhet të jetë në gjendje të vlerësojë objektivisht arritjet dhe të marrë vendime në përputhje me rrethanat”, ka potencuar ministrja Hoxha, dhe shtoi se duhet të shmangim procedurat e zgjatura që do të krijonin pasiguri për vendet e Ballkanit.

Procesi i zgjerimit, vuri në dukje Ministrja, duhet patjetër të jetë i bazuar në merita, prandaj, BE-ja duhet të vlerësoj përmbushjen e kritereve.

Ministrja e përshkroi fazën pas pavarësisë, duke cekur se 11 vitet e fundit, Kosova ka kaluar nëpër një tranzicion ekonomik, politik dhe shoqëror, por gjatë këtij udhëtimi, gjithmonë vendi ishte unik për perspektivën evropiane dhe shtoi se Kosova është shteti më pro-evropian në Evropë.

“Një nga sfidat me të cilat ballafaqohemi vitet e fundit është liberalizimi i vizave. Përveç faktit që Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, konfirmuan se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim, BE nuk po e bën liberalizimin e vizave. Kjo po bën që njerëzit të dyshojnë në interesin e BE-së kundrejt Kosovës”, ka thënë ministrja Hoxha.

Ministrja potencoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës në të gjitha proceset që lidhen me agjendën evropiane, duke përfshirë dinamizmin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në BE. Prandaj, theksoi Ministrja, Kosova nuk është e ndryshme nga shtetet tjera dhe planet e zgjerimit duhet të përfshijnë Kosovën.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është raportuar se Brooklyn Beckham dhe Rita Ora kanë pasur…