Miratohet buxheti i komunës së Ferizajt në vlerë prej 36 milionë euro

30 shtator 2019 | 17:06

Kuvendi i Komunal i Ferizajt ka miratuar projektbuxhetin e kësaj komune për vitin 2020-2022.

Duke prezantuar objektivat që përfshin ky projektbuxhet, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se qeverisja e tij është shembull i mirëplanifikimit financiar dhe se me përgjegjshmëri do të vijojë këtë qasje drejt përmbushjes së kërkesave e nevojave qytetare.

“Në këtë buxhet janë të përfshira një mori projektesh të reja por edhe ato të mbetura. Buxheti i vitit 2020 është 16.45 për qind më i lartë se sa ai i vitit 2019 apo shprehur në vlerë buxhetore nga 30.934.846 euro është rritur në 36. 023.634 euro ose 5.088.788 euro më shumë për ferizajasit, për shërbimet komunale, infrastrukturën dhe nevojat e qytetit”, ka thënë Aliu.

Ai ka theksuar se viti 2020 do ta gjejë qytetin e fshatrat e Ferizajt me zvogëlimin e përqindjes së infrastrukturës së përgjithshme të pakompletuar.

“2020-a ka buxhetin e orientuar ekzaktësisht në rritjen e kualitetit të shërbimeve publike. Ndërtimi i Qendrës së re të Mjekësisë Familjare, shtëpisë së pensionistëve, ndërtimi i Kompleksit të varrezave të reja të qytetit dhe mirëmbajtja e saj, ndërtimi i Kolektorit verior të kanalizimit fekal, ndërtimi i Qendrës së sporteve luftarake, rikonstruktimi i tregut të gjelbër në një model në gjithë vendin, modeli i ri i sinjalistikës rrugore apo rregullimi teknik i komunikacionit me shenja ndriçuese, ndërtimi i strehimores për qentë endacak, rregullimi i tregut të kafshëve, tregjet bujqësore, vendosja e hidrantëve”, ka thënë Aliu.

Më tutje, ai ka bërë me dije se në vitin e ardhshëm do të nisin procedurat për ndërtimin e objektit të ri të komunës, si dhe nisja e procedurave për ndërtimin e objektit të Stacionit të autobusëve, etj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka dalë në konferencë…