Miratohet rezoluta për Telekomin dhe Postën, kërkohet ngrirja e të gjitha pozitave udhëheqëse

12 korrik 2018 | 16:27

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten një rezolutë për Telekomin dhe Postën e Kosovës, ku mes tjerash kërkohet të merren hapa për menaxhimin e krizës në këto dy ndërmarrje publike, si dhe të tërheqë anëtarët aktual të bordit të emëruar pa bazë profesionale dhe të propozojë anëtarë me integritet të lartë dhe profesionistë më përvojë të gjatë në fushën e telekomunikacionit, financave dhe administrimin të ndërmarrjeve.

Rezoluta është përpiluar pas interpelancës të mbajtur më 8 qershor 2018, lidhur me situatën në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, me iniciativë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes!, dhe në harmonizim me Grupin Parlamentar të LDK-së:

Rezoluta e plotë:

  1. Qeveria menjëherë pas miratimit të kësaj rezolute të fillojë nga zbatimi i të gjitha detyrimeve nga Ligji për ndërmarrjet publike duke anuluar çdo vendim tjetër që bie ndesh me këtë ligj.
  2. Qeveria 15 ditë nga miratimi i kësaj rezolute, të ngrejë shtabin e menaxhimit të krizës në këto dy ndërrmarrje me qëllimin ristrukturimin e thellë të veprimtarisë biznesore, të burimeve njerëzore dhe të planit të investimeve. Ristrukturimi i Telekomit të Kosovës të përfshijë ngrirjen e të gjitha pozitave udhëheqëse në Telekom, dhe angazhimit një institucioni kompetent për menaxhimin emergjent të kësaj ndërrmarrje deri në rikonsolidimin e plotë të saj.
  3. Përbërja e shtabit të krizës, termat e referencës dhe profili i anëtarëve të përcaktohet në bashkëpunim me Komisionin për Zhvillim Ekonomik dhe Qeverisë së Kosovës.
  4. Të tërheqë anëtarët aktual të bordit të emëruar pa bazë profesionale dhe të propozojë anëtarë me integritet të lartë dhe profesionistë më përvojë të gjatë në fushën e telekomunikacionit, financave dhe administrimin të ndërmarrjeve.
  5. Auditori i përgjithshëm menjëherë pas miratimin të kësaj rezolute të fillojë auditimin e performancës dhe auditimin e financave të Telekomit dhe Postës së Kosovës.
  6. Qeveria në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës të shqyrtojë pas ristrukturimit të thellë të strukturës organizative të Telekomit, moratoriumin për pagesën e dividentës nga Telekomi i Kosovës për një periudhë dy vjeçare dhe monitorimin në punësim në Telekomin e Kosovës.
  7. Qeveria e Kosovës si aksionari kryesor duhet të tërhiqet nga marrëveshja abuzive e ish-drejtorit të Telekomit me kompaninë Z-Mobile.
  8. Kryeministri t’i raportojë Kuvendit jo më larg se 30 ditë nga miratimi i kësaj rezolute për masat e marra në Telekomin dhe në Postën e Kosovës.
  9. Në afat prej një muaji pas dorëzimit të raportit sipas pikës 8, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të ndërmarrë një shqyrtim gjithëpërfshirës për të analizuar të gjeturat e raportit të Qeverisë, përfshirë këtu ftesën për raportim në Komision të zyrtarëve që Komisioni e sheh të arsyeshme, dhe të njoftojë Kryesinë e Kuvendit.
  10. ARKEP të zbatojë ligjin duke njoftuar sa më parë lidhur me tarifat e reja të licencimit të telekomit të Kosovës.
  11. Qeveria të bëjë publike të gjitha dokumentet lidhur me titullin e pronësisë së Kodit telefonik +383 dhe ARKEP të marrë masa për pezullimin e përdorimit të kodit të Serbisë +381.
  12. Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Prokurorinë e Kosovës që të vendosë në prioritet hetimin e kontratës me Dardanfon (më tej Z-mobile).

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës nuk e ka aprovuar rezolutën, me të…