Misioni i Hrushovit, largimi i Enver Hoxhës nga pushteti

02 maj 2025 | 09:32

Nga: Elmas Leci

Deri më sot, kur pothuajse kanë kaluar më se 65 vjet nga vizita e ish-kreut të ish-Bashkimit Sovjetik Nikita Hrushov [Khrushchev] në Shqipëri, asnjëherë nuk ka dalë pse-ja e asaj vizite “tollovitëse” më se dhjetë ditore, veçse është thënë e përshkruar rutina e marrëdhënieve dypalëshe sovjeto-shqiptare me “obshet” e kohës. Por, e vërteta ka qenë dhe është krejt ndryshe nga çfarë është thënë deri më sot. Ai, Hrushovi, erdhi në Shqipëri vetëm me qëllimin prima e tepër të fshehtë, të hiqte Enver Hoxhën nga pushteti nga Sekretar i Parë i partisë, si aspekt “i revolucionarizimit” të “stanit” sovjetik të kohës, të bënte atë që kishte bërë në të gjitha vendet e tjera të lindjes komuniste. Duhet thënë se nga studiuesit, heqja e Enver Hoxhës nuk është elaboruar, nuk janë analizuar as format e as mënyrat që përdori Nikita Hrushovi në mbi dhjetë ditët e vizitës në Shqipëri. Ajo që është publikuar dikur me të madhe ishte “mbyllja” e gojës së detyrueshme që Nikita Hrushovi i bëri Enver Hoxhës për Jugosllavinë, duke i thënë madje “urdhëruar” se “duhet ta dish se unë nuk do të flas kundër Titos dhe këtë dua edhe nga ju sa të jem këtu”.

Kjo ishte komunikata e prerë e Nikita Hrushovit ndaj Enver Hoxhës, ende pa i dhënë dorën kur zbriti nga shkallët e aeroplanit në Tiranë. Ky, Enver Hoxha, deri kaq nuk e priste, ndaj aty për aty ia ktheu se “ne mikun nuk e imponojmë”. Ky ishte një lloj “rimiqësimi” i parë, nëse mund të quhet i tillë, disaditor i Enver Hoxhës me Titon. Më se gjashtë vjet me radhë të pushtetit të tij dhe të kohës së reformimit në ish-Bashkimin Sovjetik, Nikita Hrushovi ishte përpjekur ta bindte Enver Hoxhën për “rimiqësim” me Jugosllavinë, por ky nuk po e jepte “okejin”. Është thënë dhe rithënë se “rimiqësimi” me Jugosllavinë, patjetër Enver Hoxhën e largonte nga pushteti, pasi do vinte problemi me zbërthimin e gjërave, ku do t’i dilnin të palarat e qeverimit të tij, do t’i publikoheshin krimet dhe bashkëpunimi në realizimin e terrorizmit në Shqipëri. Mirëpo, Enver Hoxhës, më shumë se çdo gjë i leverdiste mbrojtja dhe mbajtja e pushtetit të tij me çdo kusht sesa reformimi i Shqipërisë sipas qoftë edhe atyre parametrave sovjetikë, aq sa mund të quheshin ato “demokratike”.

Qëllimi i vizitës

Qëllimi apo objeksioni kryesor i vizitës së Nikita Hrushovit, siç e thamë që në fillim, ishte për largimin e Enver Hoxhës nga pushteti, nga posti i Sekretarit të Parë të Partisë. Hrushovi duhej ta bënte këtë, ashtu siç kishte bërë njëlloj edhe me të gjithë Sekretarët e Parë apo ministrat e Brendshëm në vendet e tjera socialiste të Evropës Lindore. Megjithatë, ato që dolën sheshit atëherë, ishin se Nikita Hrushovi e “donte në pakufi Shqipërinë” (i dha në dorë Enver Hoxhës, më 30 maj të vitit 1956, një çek kredie të re prej 500 milionë rublash), ndërsa për trimërim ndaj vendeve të rajonit të Mesdheut ai shpalli ngritjen e një baze nëndetësesh në Butrint, kurse për fuqinë që dispononte BRSS-ja deklaroi se do të instalonte raketa kundër Italisë e NATO-s në territorin shqiptar. Të gjitha ishin, që Enver Hoxha të ndryshonte udhë për “rimiqësimin” me Jugosllavinë dhe në luftën kundër kultit të individit.

Ishin një bonus për të kuptuar se cilët ishin “sovjetikët e rinj” dhe se sa shumë “e donte” Nikita Hrushovi, Enver Hoxhën, ndaj erdhi vetë në Tiranë dhe ndenji jo pak, duke u vërdallisur sa në Jug e në Veri të vendit tonë e duke bërë deklarata që u bënë shkak edhe për aludime jo të pasakta nga perëndimorët deri edhe në shqetësime. Deklaratat e tij nga Butrinti e Vlora, për ngritjen e bazave ushtarake e pajisjen e tyre me armatime moderne e bërthamore, në një kohë që ai propagandonte me të madhe “çarmatimin” e “bashkekzistencën paqësore”, ishin jo vetëm shqetësime, por edhe një nëpërkëmbje e sovranitetit të Shqipërisë, madje pa pyetur fare në prezencë të shtetarëve të saj më të lartë, Enver Hoxhës. Me këto, Nikita Hrushovi “i thoshte” në mënyrë të dhunshme e me shantazh Enver Hoxhës të “qëndronte me tufën”.

Pikëpyetjet e Perëndimit

Nga Perëndimi u bënë në atë kohë shumë pyetje, madje edhe aludime se çfarë bëri aq ditë Hrushovi në Shqipëri dhe çfarë i serviri atij Enver Hoxha gjatë gjithë asaj vizite të stërzgjatur?! Pavarësisht sjelljes “tolerante”, nëse mund të quhet e tillë ajo e Enver Hoxhës në shtëpinë e vet, në mes tyre, Nikita Hrushovit dhe Enver Hoxhës, asgjë nuk ishte aq paqësore, përkundrazi vitet e fundit kishin qenë të mbushura me histori imponimesh e kundërshtimesh, sidomos kur bëhej fjalë për “rimiqësimin” me Jugosllavinë. Në librin e tij “Unë nuk jam gjykatës”, botuar edhe në shqip, të Nikita Hrushovit, ai tregon se si “Enver Hoxha ishte përpjekur t’i imponohej atij që të mos rregullonte marrëdhëniet me Titon, të prishura që në kohën e Stalinit”. Ndërsa, Enver Hoxha na thotë se “ata që i imponoheshin atij ishin sovjetikët. Ata donin që ne shqiptarët (kupto Enver Hoxhën) jo vetëm t’i zbutnin sulmet ndaj fqinjit verior, por të fillonim dhe të kishim rimiqësim të marrëdhënie me Jugosllavinë”.

Një varg imponimesh dhe kundërthëniesh mund të rizbulohen duke vënë ballë për ballë librat e kujtimeve të Nikita Hrushovit me ato të Enver Hoxhës. Përveç njëmijë e një gjërave të marrëdhënieve në përgjithësi, që ato përmendin e që nisnin me qëndrimin ndaj Stalinit dhe që përfundonin tek e ardhmja e Kinës në bllokun komunist, ata të dy, Enver Hoxha me Nikita Hrushovin, sipas kujtimeve të tyre ndaheshin në dy pika: në rimiqësimin me Jugosllavinë dhe në qëndrimin ndaj kultit të Stalinit. Në kujtimet e tij, Nikita Hrushovi shkruan se ai ishte i ndërgjegjshëm që në thelb jugosllavët ishin komunistë të mirëfilltë, kurse në kujtimet e veta po për të njëjtën çështje, të përmbledhura te libri “Hrushovianët”, Enver Hoxha është më shumë se i sigurt për krejt të kundërtën: “Jugosllavët ishin të parët që kishin tradhtuar”.

Raporti i DASh-it

Për vizitën e Nikita Hrushovit në Shqipëri, një funksionar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Spencer Barnes, më 15 qershor të vitit 1959 hartoi një raport shumëfaqësh lidhur me implikimet që shkaktonte ajo vizitë në Shqipëri. Sipas analizës së tij e të disa ekspertëve të tjerë amerikanë, Shqipëria gjithmonë kishte përbërë hallkën më të dobët të formacionit lindor. Kjo edhe për shkak të ambicieve territoriale jugosllave dhe greke, por edhe të interesave politike italiane. Si rezultat, Shqipëria rrezikohej ose nga një kërcënim i jashtëm ose nga një rebelim i brendshëm sipas modelit hungarez. Një humbje e Shqipërisë do të thoshte një goditje për dinjitetin politik dhe perandorak të Bashkimit Sovjetik, por edhe për vetë prestigjin e Nikita Hrushovit. Për këto arsye, theksonte Barnes, vizita e tij (Hrushovit) në Shqipëri merr një rëndësi të veçantë, jo vetëm simbolike, por mbi të gjitha substanciale.

Dhe, kjo u duk, si në nivelin e përfaqësimit të “vizitorëve” këto kohë në Shqipëri (së bashku me Hrushovin ishte i inkuadruar edhe ministri i mbrojtjes, Mareshali Malinovski, e nga ana tjetër në të njëjtën kohë kishte ardhur për vizitë në Shqipëri edhe ministri kinez i Mbrojtjes, Mareshalli Pin De Hua, por kishte edhe ministra të tjerë të Mbrojtjes të vendeve të Lindjes, që u ndodhën ato ditë në Tiranë); vizitë që propaganda e ethshme në median sovjetike si dhe pritjen tejet servile nga Enver Hoxha, i cili ishte një poshtërim, tejkalonte edhe atë të “kultit” të Stalinit. Enver Hoxha, paralelisht me përulësinë e atyre ditëve (maj-qershor 1959) ndaj Nikita Hrushovit, ndiqte edhe një politikë të brendshëm staliniste, më staliniste se vetë Stalini, me lloj-lloj shtypjesh dhe dhune politike ndaj kundërshtarëve.

Politika e Hrushovit

Nga ana tjetër, synimi i liderit sovjetik ishte që të demonstronte vendosmërinë e Kremlinit për të mbajtur në orbitën sovjetike Shqipërinë, duke e bërë Enver Hoxhën në vepra kompliste me Jugosllavinë. Kjo përbënte politikën e tij të reformimit (gjatë viteve 1953-1959), që ai u a diktoi të gjithë partive të vendeve të Evropës Lindore. Si rezultat i asaj politike, që pas vitit 1956, në të gjitha vendet e Evropës Lindore nuk pati më në pushtet asnjë Sekretar të Parë të periudhës së Stalinit. Të gjithë u hoqën apo u dënuan sipas frymës e politikës së re të Hrushovit mbi çrrënjosjen e kultit të individit të Stalinit, pasi edhe ata si Stalini kishin bërë krime, ndaj “rruga e re”, “epoka e re” sovjetike, “kërkonte që në krye të partive të ishin njerëz të rinj, me vizione të reja e jo stalinistë”. Vetëm në Shqipëri u mbeti Enver Hoxha “në derë”. Lidhur me objeksionet e tjera të vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri, përmendim edhe broçkullat e tij për pëlqimin e ngritjes së bazave ushtarake në Butrint “për të pasur në dorë krejt Mesdheun” dhe për cilësimin e bazës së Vlorës se “me të vinte në zap Italinë e Perëndimin”. Misioni i Hrushovit në Shqipëri, u tha nga analistët Perëndimorë të kohës, lidhej edhe me “bllokadën” e ripërtëritjes të një farë të quajturi Pakti Ballkanik, të arritur disa vite më parë mes Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë.

Ndërsa deklaratat që bënte Nikita Hrushovi nga Butrinti e Gjiri i Vlorës, nga sheshet në Tiranë, apo Korça e Shkodra, ishin për opinionin më së shumti deklarata “burracake” të tij dhe me pasoja plasdarmi, nëse mund të realizoheshin, por u “duartrokitën” dhe u duk se çdo gjë në Shqipëri ishte “shesh-besh”. Natyrisht, për të ardhmen nuk shkoi çdo gjë ashtu siç dukej fasada. Analistët e mprehtë të kohës, dallonin mes rreshtave e qëndrimeve edhe mosmarrëveshjet që ekzistonin, pavarësisht nga deklaratat “epshore” që dukeshin sikur ishin te të dy palët në të njëjtën gjatësi vale.

Marrëdhënia me Enverin

Në marrëdhëniet mes Enver Hoxhës me Nikita Hrushovin, duheshin dalluar shfaqjet nga thelbi, sepse në dukje ato ishin pritje madhështore e miqësore. Thelbi i tyre gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, ku ka një sërë dokumentesh tepër sekrete për kohën, në të cilat për ata që dinë t’i lexojnë renditen domethëniet e vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri. Në fakt, ishin dy: kryesore ishte trysnia e fuqishme ndaj Enver Hoxhës që të ndryshonte qëndrimin ndaj “rimiqësimit” me jugosllavët dhe e dyta, mund të thuhet edhe kjo jo më pak e rëndësishme, ishte po trysnia e pandryshuar me objeksionin kryesor, po mbi Enver Hoxhën, ai i shantazhit ushtarak për ngritjen e bazave raketore. Me të dy këto presione, tërthorazi, por prerë, madje urdhëruese, Nikita Hrushovi kërkonte dorëheqjen Enver Hoxhës.

Ishte një përpjekje disavjeçare, që Nikita Hrushovi kishte bërë me shumë tentativa të pafundme, për ta larguar si të gjithë kolegët e tjerë të vendeve socialiste edhe Enver Hoxhën nga posti drejtues. Por, Enver Hoxha, megjithëse ndonjëherë jepte edhe ndonjë shenjë pajtimi drejt lëshimit të postit, duke pranuar “vijën e re” të Hrushovit, por jo, sepse përsëri qëndronte qëndrim i imponuar nga rrethanat e eliminimit. Historia e evoluimit të pushtetit, nga Stalini i vdekur te Nikita Hrushovi, tregoi se ky sapo mori pushtetin, nisi reformimet, ndërmori spastrimet ndaj stalinistëve si Beria, Molotov, Kagonoviq etj. Po si i eliminoi? Amplifikoi gabimet e privilegjet që gëzonin dhe shfrytëzoi edhe cmirat që kishin ndaj njëri-tjetrit. Në këtë mënyrë, ai ndërmori atë që e quajti “reformimin” e plotë të sistemit despotik stalinist dhe pas veprimeve që ndërmori brenda vendit, me shkarkime e dënime të zyrtarëve më të lartë të BRSS-së dhe deri në “vijën e liberalizimit”, me dënimin e kultit të Stalinit, argumentoi edhe dëmet e jashtëzakonshme që kishte shkaktuar politika despotike e Stalinit. Dhe, pas këtij reformimi, që ishte eliminim i veprimtarive dhe i kultit të individit të Stalinit, Nikita Hrushovi ndërmori reformat në aspektin më të gjerë, në kuadër të gjithë kampit socialist.

Para se Hrushovi të vinte në Tiranë, të ngjashmit adashë të Enver Hoxhës për nga posti në vendet e Evropës Lindore, siç theksuam, ishin likuiduar me kohë dhe nga të gjithë ata sigurisht që më i ngjashmi me Enver Hoxhën kishte qenë Rakoshi (më 1956) në Hungari. Ndonëse ai ka qenë shumë më i kulturuar sesa Enver Hoxha, shumë më i ditur dhe me një aktivitet të jashtëzakonshëm politik, rreth gjashtëmbëdhjetë vjet i burgosur politik, me një stazh pranë Stalinit në Moskë dhe drejtues i një plejade njerëzish shumë të kulturuar dhe njohës të thellë të marksizmit, përsëri edhe atë Hrushovi e likuidoi me stimulim dorëheqje.

Metodat e sundimit

Rakoshi me Enver Hoxhën “takoheshin” në një pikë, te sadizmi në metodat e sundimit. Që të dy kishin përdorur doktrinën staliniane që të likuidonin kundërshtarët e tyre. Të dy, sipas Hrushovit, duhej të zëvendësoheshin për të ardhur “të rinjtë”, kudo në ish-vendet socialiste të Evropës Lindore. Pas “dorëheqjes” alla hrushoviane të Rakoshit në Hungari, me këto metoda e “reformime” e gjithë metoda staliniane u godit në të gjitha vendet e Evropës Lindore, madje edhe Rakoshi nuk rezistoi, por iu bind Hrushovit. Ai shkoi në një vend të izoluar të Bashkimit Sovjetik dhe qëndroi atje deri në fund të jetës së tij. Të njëjtën gjë sovjetikët i kërkuan edhe Enver Hoxhës, ta merrnin në Bashkimin Sovjetik e ta mbronin nga përgjegjësitë e krimeve që kishte kryer në periudhën e tij staliniane. Por, ky rezistoi ndryshe nga gjithë të tjerët dhe nuk pranoi të godiste Stalinin. Edhe mitingu i parë masiv u organizua në sheshin para Kombinatit të tekstileve, ku qëndronte hijerëndë monumenti i Stalinit, i veshur me uniformë ushtarake.

Nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Nikita Hrushovit, udhëheqja e lartë e partisë dhe e shtetit sovjetik e kishin anatemuar politikisht e moralisht Stalinin. Raporti që mbajti në Kongresin 20-të të Partisë Komuniste (Bolshevike) të Bashkimit Sovjetik, në shkurt të vitit 1956, “Mbi kultin e individit të Stalinit dhe pasojat e tij” (të ashtuquajtur sekret), por që u botua në të gjithë shtypin e vendeve perëndimore, ishte më se ndikues në politikën ndërkombëtare. Nikita Hrushovi kishte ngritur një mal me akuza të rënda dhe karakterizimesh negative kundër Stalinit, si “asgjësues moral e fizik” i kuadrove më të rëndësishëm të partisë, të shtetit e të ushtrisë dhe i të gjithë popullit sovjetik. Sipas kësaj, Nikita Hrushovi dhe pasuesit e tij e kishin shpallur publikisht Josif Stalinin si armikun më të madh të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të popujve sovjetikë. Ndërkohë, në Bashkimin Sovjetik kishte marrë përmasa historike lëvizja për të hequr e shkatërruar ngado bustet dhe monumentet e Stalinit, për t’u hequr emrin e tij ndërmarrjeve ekonomike e kolkozeve bujqësore, institucioneve social-kulturore e qyteteve dhe për t’i ripagëzuar ata me emra të tjerë, të mëparshëm ose të rinj.

Porositë e Enverit

Ndërsa, në antitezë, Enver Hoxha në Shqipëri porosiste skulptorët më të mirë të përgatisnin monumente e statuja për Stalinin. Rreth një vit pasi Nikita Hrushovi kishte dënuar kultin e individit të Stalinit, në vitin 1957 Enver Hoxha inauguroi një monument të ri të Stalinit në qendër të Kuçovës, që në atë kohë quhej Qyteti Stalin. Një relike e këtij monumenti me dorë të shtrirë përpara, ishte vendosur edhe në sheshin para kombinatit të tekstileve në Tiranë. Para tij, Enver Hoxha e “dërgoi” Nikita Hrushovin, pas katër vjetësh që e kishte dënuar e hequr ngado Stalinin, të parakalonte para monumentit në bronz të gjeneralismit, vetë me pardesy të bardhë. Fjalimi i Nikita Hrushovit, nën hijen e bustit të Stalinit, ishte një provokim i hapur që i bëri Enver Hoxha dhe një domethënie e plotë e mosreformimit të tij sipas “sovjetikëve të rinj”. Ekipit sovjetik të organizatorëve të vizitës së Hrushovit në Kombinat, siç duket nuk u kish shkuar nëpër mend ose më shumë ka të ngjarë që apostafat të mos jetë ndjerë vetë Hrushovi, që donte të thoshte se “as që dua t’ia di për relike” dhe ti Enver Hoxha mbaje “po deshe bustin e Stalinit edhe në oborrin e shtëpisë”.

Politikanët dhe diplomatët e vendeve perëndimore, veçanërisht të atyre fqinje, si dekodues profesionistë të kuptimit të modeleve e të sjelljeve joverbale, merrnin mesazhin se politika e Enver Hoxhës, sa më shumë ecte në binarët e dogmatizmit stalinist, aq më shumë largohej nga realpolitika hrushoviane. Koston e rëndë të politikës staliniste të skajshme të Enver Hoxhës do ta paguante vetëm populli shqiptar, me luftë klasash të ashpër e shkatërrimtare, me varfëri dhe me ritme të ngadalshme zhvillimi, me ngujim dhe mënjanim nga përparimet e vrullshme të shoqërive Perëndimore. Ndërkohë, Hrushovi me ministrin e tij të Mbrojtjes, mareshalin sovjetik Malinovski, vizitonte qytetet periferike, në të njëjtën kohë ndodhej në Shqipëri edhe një delegacion i madh kinez i kryesuar nga Mareshali Pin De Hua, i cili e zhvillonte veprimtarinë e tij kryesisht në kryeqytet (madje u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhrin e Skënderbeut të Klasit të Parë, ndërsa anëtarët e tjerë të delegacionit kinez me urdhra e medalje të ndryshme). Ndërkohë që delegacioni sovjetik lëvizte në linjë partie, kryesisht jashtë kryeqytetit, delegacioni kinez funksiononte në linjë shtetërore. Ndër të tjera, simbolikisht kjo do të thoshte se për të ardhmen, së paku të afërt, në qendër të interesave të Enver Hoxhës nuk do të ishte më si më parë Bashkimi Sovjetik, por Republika Popullore e Kinës. Historia e 20 viteve të pastajme të marrëdhënieve me Kinën, rrodhën tamam sipas një projektimi të shprehur simbolikisht.

Mitingu në Tiranë

Më 30 maj 1959, Enver Hoxha organizoi për nder të Nikita Hrushovit një miting super të madh në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Në fakt, simbolikisht ky miting i përforconte pozitat e “sovjetikëve të rinj” të Hrushovit, dritë jeshile e cila u shua shpejt, sepse të nesërmen, siç e cilësoi shtypi i huaj, Nikita Hrushovi u “arratis” ose më saktësisht e “arratisën” nëpërmjet protokollit, përsëri në qytetet e krahinat periferike. Një ecuri e tillë simbolikisht përcillte mesazhin se në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike gjithnjë e më shumë po bëheshin mbizotëruese forcat centrifugale, të cilat brenda më pak se dy vitesh do t’i shkëpusnin përfundimisht marrëdhëniet e tyre. Edhe në fjalët e fundit të Nikita Hrushovit, kur u largua nga aeroporti i Rinasit dhe në fjalimin e përcjelljes së tij, që u mbajt nga Enver Hoxha, në dukje nuk viheshin re shenja të mosmarrëveshjeve apo të konflikteve të ashpra që vërtet po thelloheshin mes tyre. Por, të vërtetën e zhbiriluan kameramanët e filmimeve që kanë fiksuar, lëvizje apo gjeste të Enver Hoxhës në çastin e largimit të Nikita Hrushovit nga aeroporti i Rinasit, ku ai bëri me dorë një gjest që u interpretua se “shpëtoi nga një e keqe e madhe”. Ishte “e keqja” që Enver Hoxhës i kishte ardhur nga vizitori “i madh” në Tiranë, që i kërkoi t’i bashkohej reformimeve sovjetike, duke pranuar “rimiqësimin” me Jugosllavinë dhe të luftonte “kultin e individit”.

Për këto, Enver Hoxhës i kërkohej të jepte dorëheqjen e të vijonte edhe në Shqipëri fryma e Kongresit të 20-të të “sovjetikëve të rinj”. Këtë, largimin nga posti, Enver Hoxha nuk e bëri dhe siç e tregonin “bathët” as do ta bënte kurrë, sepse si nuhatës dinak e dinte fare mirë që po ta bënte dorëheqjen, kjo do ishte vetëvrasje, ndaj i qëndroi fort Hrushovit, fillimisht me dredhi që vijoi edhe me vizitën e parë dhe të fundit në Shqipëri dhe pastaj nëpër forume, me ato që u quajtën mosmarrëveshje, të cilat Enver Hoxha i quajti e i “mbrojti si parimore”, por që në fakt ishin mbulim i çështjes që shqetësonte Enver Hoxhën – largimi nga pushteti. Të gjitha këto Enver Hoxha i ktheu në antipod dhe i shfrytëzoi në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm si “mbrojtje nga ai të marksizëm-leninizmit”. Në fakt, qëndrimi i Enver Hoxhës nuk kishte asgjë të përbashkët me parimet se ato ai as nuk i njihte pa lere më t’i mbronte, por ishin veç mosmarrëveshje për dorëzimin e pushtetit për të cilën Hrushovi erdhi vetë në Shqipëri. Madje, dorëheqjen ia kërkoi Enver Hoxhës me insistim, me gojë e me shembuj në 10 ditët e vizitës, direkt e indirekt, me diplomaci dhe me shantazh. Por, Enver Hoxha, siç theksojnë shumë e shumë analistë perëndimorë të kohës, arriti të triumfojë e nuk dëgjoi nga ai vesh që i fliste Nikita Hrushovi, por problemet i amplifikojë me të në “mosmarrëveshje gjoja parimore”, por që nuk kishin asgjë parimore, veçse mbajtjen e pushtetit dhe të karriges nga Enver Hoxha. /Gazeta “Panorama”/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Dritan Dragusha Qeverisja e keq qytetarin përveç që e…