Miti serb për Kosovën, synim për përvetësim historik dhe mashtrim politik
Shkruan: Hisen Berisha
Kosova është Dardani, truall historik i popullit shqiptar dhe pjesë e pandarë e trashëgimisë sonë kombëtare. Miti se “Kosova është djep i Serbisë” është shpikje e aparatit politik dhe kishtar serb, ndërtuar për të justifikuar pushtimin, përvetësimin dhe falsifikimin e historisë. Kjo narrativë e rreme është përdorur për të shndërruar monumentet shqiptare në mjete politike të Beogradit dhe për të imponuar kontroll kulturor e simbolik mbi Kosovën.
Manastiret e Deçanit, Pejës, Graçanicës e të tjera janë ngritur mbi themele autoktone shqiptare dhe bizantine, shumë përpara çdo ndikimi sllav. Ato dëshmojnë për ndërthurjen e traditës dardane me kulturën bizantine – dhe jo me ndonjë “origjinë serbe”. Ndikimi i Konstandinit e i qytetërimit bizantin përjashton çdo lidhje me sllavët, duke rrëzuar përfundimisht pretendimin se ortodoksia në Kosovë është serbe.
Serbia nuk i ka ndërtuar këto manastire, ajo i ka përvetësuar, shpesh përmes pushtimeve apo me ndihmën e perandorive të huaja. Ky përvetësim është përdorur si bazë për “legjitimitet historik” të rremë dhe për pretendime territoriale që kanë prodhuar tragjedi e luftë. Sot, ky mit përdoret ende si armë politike për të imponuar ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës dhe për ta paraqitur trashëgiminë shqiptare si pronë serbe.
Pika shtatë e marrëveshjes Kurti–Vuçiq e legjitimon falsifikimin dhe e formalizon këtë përvetësim duke i shpallur institucionet e trashëgimisë shqiptare si “serbe”. Një akt anti-historik, anti-sovran dhe thellësisht i dëmshëm për identitetin kombëtar.
Çdo kërkesë që ushtria serbe apo strukturat e saj të “mbrojnë” këto monumente është absurditet politik, sepse ato janë trashëgimi e popullit shqiptar dhe pjesë përbërëse e shtetit të Kosovës. Mbrojtja e tyre është detyrë sovrane e institucioneve të Kosovës, jo e atyre që i kanë përvetësuar.
Shqiptarët kanë kontribuar ndër shekuj në ndërtimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre monumenteve. Përvetësimi serb është rezultat i pushtimit dhe marrëveshjeve të imponuara politikisht, jo krijim origjinal.
Prandaj, çdo përpjekje për ta paraqitur trashëgiminë shqiptare si serbe duhet të kundërshtohet si çështje e drejtësisë kombëtare dhe e mbrojtjes së identitetit kulturor të Dardanisë. E vërteta historike nuk negociohet.
Si institucione dhe popull duhet të kemi qëndrime të prera se, çdo njohje formale e trashëgimisë shqiptare si pronë serbe është shkelje e rëndë ndaj historisë, sovranitetit dhe dinjitetit të Kosovës.
Kosova nuk është “djep i Serbis”, por është zemra e Dardanisë dhe dëshmia e pandryshueshme e autoktonisë shqiptare në Ballkan.
Kjo është çështje e shtetit, e kulturës dhe e së vërtetës historike. Dhe nuk mund të negociohet.



