Mitrovica do të jetë përfituese e granteve nga Ministria e Bujqësisë

07 shtator 2018 | 16:47

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë, Ekrem Sadiku, kanë pritur në një takim pune zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni, dhe këshilltaren politike të kësaj ministrie, Danica Laban.

Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi në lidhje me projektet në të cilat do të përfshihet Komuna e Mitrovicës gjatë vitit të ardhshëm si dhe njohja me shqetësimet që kanë fermerët e kësaj komunës.
Fillimisht zëvendësministri Maxhuni ka njoftuar kryetarin Bahtiri, se vitin e ardhshëm pritet të ketë grante nga Qeveria dhe se do të përpiqet që edhe Komuna e Mitrovicës të jetë përfituese, në mënyrë që fermerët mitrovicas t’i realizojnë qëllimet e tyre.

Po ashtu, Maxhuni e ka njoftuar Bahtirin dhe drejtorin Sadiku, se kjo vizitë po realizohet në kuadër të vizitave që po bëjnë nëpër komuna për të identifikuar nevojat e komunave në sektorin e bujqësisë dhe për projektet që ministria planifikon t’i realizojë, me qëllim të një zhvillimi të barabartë dhe të balancuar të komunave.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar zëvendësministrin Maxhuni për iniciativën që kjo komunë të jetë pjesë e këtyre projekteve, derisa ka thënë se vendi ynë është vend kryesisht rural ku mund të zhvillohet blegtoria, pemëtaria dhe degë të tjera bujqësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Shqipërisë e ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin…