Mitrovica Veriore dhe Zveçani në karantinë

03 prill 2020 | 22:07

Dy komuna serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, janë futur në karantinë me vendim të Shtabeve të Krizave të themeluara në këto dy komuna.

Këtë e ka konfirmuar kreu i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili ka thënë se vendimi ka hyrë në fuqi sot me fillim nga ora 18:00.

Ndërkaq, drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, u ka bërë apel banorëve të këtyre dy komunave që të respektojnë vendimin për karantinë.

Siç raporton portali serb i Kosovës, “Kosovo-Online”, Gjuriqi, gjatë një konference për media, ka thënë se në ditët në vijim do të punësohen të gjithë mjekët që janë në regjistrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, transmeton “Koha”.

Ai tha po ashtu se është arritur marrëveshje, duke mos sqaruar në mes të kujt, që pacientët me simptoma të rënda të dërgohen në qendrat mjekësore në Nish, Beograd dhe në pjesë tjera të Serbisë, kurse pacientët me shenja të lehta të koronavirusit, të trajtohen në spitalin e Mitrovicës dhe në Qendrën e Studentëve ku do të formohet klinika për pacientët me simptoma të lehta.

Sipas Shtabit të Krizave të Mitrovicës, në këtë komunë sot kanë dalë pozitivë 11 persona, kurse në Zveçan katër të tjerë.

Gjuriqi, ndërkaq, tha se në Serbi janë testuar më shumë se 100 pacientë serbë dhe të kombësive tjera nga Kosova, ndërsa tha se deri më tani, nga komunat serbe në Kosovë janë gjithsejtë 17 të prekur me koronavirus dhe një i vdekur nga komuna e Leposaviqit, para tri ditësh.

“Kemi vendosur bashkëpunim edhe me të gjitha organizatat ndërkombëtare (në Kosovë), edhe me KFOR-in. Më duhet të them se edhe me Prishtinën kemi pasur komunikim, dhe se Prishtina ka ndihmuar qytetarët tanë të testohen në disa zona, siç u kemi ndihmuar edhe ne atyre që kamionë me nevoja dhe furnizime themelore të mbërrijnë edhe te komunitetet shqiptare në Kosovë”, tha Gjuriqi, raporton “Kosovo-Online”.

Ai theksoi se përfaqësuesit në Prishtinë kanë treguar se “këtë çështje e trajtojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe të civilizuar, pavarësisht dallimeve politike”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Pejës ka lëshuar një komunikatë për media në…