Mjeku kujdestar flet për të lënduarit në aksidentin Prishtinë-Podujevë

09 janar 2022 | 12:21

Mjeku kujdestar në Emergjencën e QKUK-së, Ejup Govori, ka thënë se njëri nga personat e lënduar në aksidentin fatal në magjistralen Prishtinë-Podujevë, ndodhet në gjendje jashtëzakonisht të rëndë. Ky person sipas mjekut ka pësuar politraumë. Ndërsa të tjerët kanë pësuar lëndime më të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

Një aksident trafiku mes tri automjeteve ndodhi sot rreth orës 09:30 në rrugën Prishtinë-Podujevë, ku për pasojë vdiqën dy persona në vendin e ngjarjes dhe u lënduan 9 të tjerë.

Mjeku kujdestar i Klinikës Emergjente në QKUK, Ejup Govori, tregoi gjendjen e të lënduarve, ku thekson se njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Dy persona kanë vdekur në vendin e ngjarjes. Janë pesë persona me lëndime në kokë, me lëndime më të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa, një tjetër është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, pra ka politraumë”, ka thënë Govori për “Express”.

Më tutje, doktor Govori ka thënë se për gjendjen e pacientëve janë në ekzaminim e sipër dhe ende nuk ka ndonjë konkluzion përfundimtar.

Sipas të dhënave fillestarë pacientët i përkasin grupmoshës së mesme.

Si pasojë e aksidentit rruga është bllokuar, teksa policia lut qytetarët që të shfrytëzojnë rrugët alternative deri në përfundimin e ekzaminimeve në vendngjarje.

Akoma nuk dihen shkaqet që çuan deri te ky aksident.

Kujtojmë se Policia e Kosovës vazhdimisht bën apel për kujdes në komunikacion, po ashtu kërkohet kujdes i shtuar sidomos gjatë sezonit dimëror për shkak të kushteve të vështira nëpër rrugë si pasojë e motit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe një nga figurat politike ka ndryshuar goxha shumë. Me…