MKRS-ja dhe UNICEF-i me program gjithëpërfshirës për fuqizimin ekonomik të të rinjve në Kosovë

22 maj 2020 | 15:37

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim shefin e UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, të cilin e ka falënderuar për rolin që kanë luajtur  UNICEF-i për lehtësimin e menaxhimit të situatës me Covid-19.

Po ashtu, Dumoshi ka vlerësuar lartë dhe angazhimin e UNICEF-it në programe të ndryshme fuqizuese për të rinjtë e Kosovës, në veçanti.

Ajo ka theksuar se angazhimi i të rinjve dhe infrastruktura ligjore që garanton siguri, punë e aktivizëm të të rinjve në Kosovë duhet të jetë kruciale për institucionet e Kosovës. Ndër të tjera, Dumoshi e ka përgëzuar Sahinin edhe për iniciativën gjithëpërfshirëse “#vizapërfëmijë”, e cila përmes përkrahjes dhe thirrjeve për promovimin e politikave gjithëpërfshirëse, ka kontribuar për ambient të barabartë për çdo fëmijë.

Ndërsa shefi i UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, e ka njoftuar ministren Dumoshi për programet e UNICEF-i të cilat fokusohen në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në fuqizimin e rinisë dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Zyra e UNICEF-it në Kosovë që nga viti 2014 implementon programe dhe platforma për të rinj, si UPSHIFT, PODIUM, PONDER, KoVo dhe U-Report, të cilat fuqizojnë të rinjtë dhe i ndërtojnë shkathtësitë për punë dhe jetë.

Marrë parasysh situatën me Covid-19 dhe pasojat ekonomike e shoqërore që do të ketë për shoqërinë, pikë kyçe e këtij takimi ishte bashkëpunimi i mëtejmë i MKRS-së dhe UNICEF-it në lidhje me një program gjithëpërfshirës (Kosovo Generation Unlimited) për fuqizimin e rreth 10 000 të rinjve në Kosovë.

Më këtë rast, ministrja Dumoshi është shprehur e lumtur se MKRS-ja do të jetë pjesë integrale e një programi të tillë, i cili e prek pikën më vitale të shoqërisë kosovare – rininë. MKRS-ja dhe UNICEF-i bashkërisht në javët dhe muajt në vazhdim do të punojnë ngushtë që objektivat dhe informatat rreth këtij programi fuqizues ekonomik t’i bëjnë të qasshme e për sa më shumë të rinj.

Ministrja Dumoshi dhe Sahini janë pajtuar që ky të jetë takimi i parë i cili do t’u paraprijë takimeve dhe punëtorive të tjera për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në dizajnimin dhe jetësimin e kësaj nisme premtuese. (LG/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar të premten burgun…