MKRS-ja ndan 5 milionë euro për klubet e futbollit

30 mars 2020 | 08:22

Klubet e futbollit në Kosovë po planifikojnë të kërkojnë ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës pas krizës që e ka shkaktuar koronavirusi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Sportit që ka ndarë 5 milionë euro, të cilat do t’u takojnë edhe disa fushave të tjera si dhe do të formohet grupi punës për ndarjen e mjeteve.

Ideja për të kërkuar ndihmë nga shteti ka ardhur nga kryetari i Ballkanit, Arsim Kabashi, i cili ka shkruar se është koha të kërkojnë ndihmë nga qeveria, pasi një gjë të tillë, sipas tij, e kanë bërë klubet e futbollit në Shqipëri. Ndërkohë, Kabashi ditë më parë ka deklaruar se për klubin që ai drejton nuk do të jetë problem kryerja e obligimeve financiare ndaj lojtarëve dhe stafit. “Superiorja shqiptare tubohet për t’iu drejtuar kryeministrit për përkrahje pas epidemisë globale. A do të ishte e arsyeshme edhe ne klubet e Superligës të tubohemi të kërkojmë ndihmë nga z. kryeministër dhe Ministria e Sportit për mbështetjen dhe tejkalimin e kësaj gjendjeje aktuale?”, ka shkruar Kabashi.

I pari që i është përgjigjur pozitivisht ishte trajneri i Llapit, Tahir Batatina që, po ashtu, ka bërë me dije se pagat ndaj lojtarëve do të kryhen pa asnjë problem, madje 50 mijë euro u ndanë për paga nga drejtuesit e llapjanëve. “Kryetar, shpresoj të bashkohemi të gjitha klubet e Superligës dhe t’iu drejtohemi të gjitha institucioneve tona nga niveli qeveritar deri tek ai komunal. Që nga e hëna fillon punën FFK-ja, t’i dërgojmë kërkesat tona dhe nëse është nevoja, takim edhe me kryeministrin edhe me ministren e Sportit edhe me”, ka shkruar Batatina një koment.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot do t’i nisë konsultat…