MKRS-ja nënshkruan kontrata me 119 organizata të shoqërisë civile

31 maj 2018 | 11:29

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka nënshkruar kontrata me 119 organizata të shoqërisë civile, organizata rinore, përfituese në sektorin e rinisë, nga shpalljet e fundit publike në tematikat: kulturë, sport, rekreacion; siguri njerëzore; edukim shëndetësor; fuqizim dhe pjesëmarrje të të rinjve, parandalim të ekstremizmit.

Në ceremoni mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili u shpreh i gëzuar që po nënshkruhen kontratat mes MKRS-së dhe organizatave për projektet që ministria përkrah përmes thirrjeve publike.

“Ne do ta ndjekim një praktikë të re e cila ka për qëllim që të gjitha projektet të cilat përfitojnë organizatat rinore por edhe të rinjtë në përgjithësi në Republikën e Kosovës t’i prezantojmë në mënyrë ceremoniale edhe për të qenë transparent para publikut por edhe për ta arsyetuar çdo cent MKRS-ja i ndan për organizatat rinore”, ka thënë ministri Gashi.

Ministri ka porositur të rinjtë përfitues që projektet të cilat i kanë fituar t’i zbatojnë sipas kritereve të parapara dhe kërkoi nga ta që gjatë implementimit të projekteve të arrihet ndikim konkret.

Ministri Gashi ka theksuar se janë duke punuar përbrenda MKRS-së që ta ristrukturojmë Departamentin e Rinisë në mënyrën se si të bëhet shpërndarja e përkrahjes për të rinjtë.

“Kosova duhet ta fokusojë një program të ri që do t’i ndihmojë të rinjtë rreth përgatitjes së tyre për tregun e punës, për të përcaktuar profilin e secilit të ri në të ardhmen përmes këtyre projekteve rinore”, u shpreh mes tjerash ministri duke i njoftuar të rinjtë që MKRS-ja për herë të parë do të krijojë edhe një fond për të rinjtë në përkrahje të tyre si dhe për ndërtimin e kompleksit multifunksional rinor, i pari e tillë, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajonin e Ballkanit.

Ministri Gashi i ka informuar të rinjtë se në kuadër të përkrahjes MKRS-ja ndan mjete financiare dhe mbështet projekte edhe për të rinjtë e komuniteteve pakicë.

Ministri në fund i porositi të rinjtë që të rrisin bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe të zgjerojnë organizatat e tyre dhe rrjetet rinore. “Rinia është pjesa më vitale e shoqërisë tonë”, ka vlerësuar ministri Gashi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur…