MMPH-ja nxjerr udhëzim administrativ për menaxhimin e resurseve ujore

28 gusht 2018 | 12:00

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka nxjerrë udhëzimin administrativ për procedurat për leje ujore përmes së cilit parashihet hapja e rrugëve për shfrytëzimin racional të resurseve ujore të Kosovës.

Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së ministrit të MMPH-së, Fatmir Matoshi, ka thënë se ky udhëzim do të krijojë bazë ligjore dhe do të ndikojë në menaxhimin e resurseve ujore.

“Udhëzimi administrativ për procedurat për leje ujore do të rregullojë gjendjen e përgjithshme të menaxhimit të qëndrueshme të resurseve ujore dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të vendit duke krijuar kështu bazë të mirëfilltë ligjore për një konkurrencë të denjë për të gjithë pjesëmarrësit në këtë fushë”, ka deklaruar Matoshi.

Po ashtu ai ka treguar se ky udhëzim ka për qëllim edhe rregullimin e procedurave aplikuese për akte ujore, strukturimin e procedurave shqyrtuese të kërkesave lëndore për shfrytëzimin e resurseve ujore në aspektin administrativ e teknik si dhe përcaktimin e kritereve shqyrtuese të pakos së dokumentacionit të parashtruara me aplikacion.

Udhëzimi administrativ për procedurat për leje ujore, gjithashtu ka për qëllim krijimin e mekanizmave efikase për mbikëqyrjen e ushtrimit të aktiviteteve të operatorëve në resurse ujore, përmes administrimit sipas detyrës zyrtare, përmes urdhëresës ujore.

“Ndër tjerash, ky udhëzim përmban edhe dispozita që përkufizojnë procedurat e veçanta të lëshimit të kushteve ujore, pëlqimit ujor, lejes ujore dhe urdhëresës ujore pastaj lartësinë e tarifave administrative dhe lejet e operatorit për kyçje në rrjetin e infrastrukturës ujore”, është theksuar në komunikatën për medie të lëshuar nga Zyra për Informim e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Udhëzimi administrativ për procedurat për leje ujore është i sistemuar në 7 kapituj, 36 nene dhe 7 shtojca që paraqesin në tersi koherente normative, me qëllim të pasqyrimit adekuat të tërë kompozicionit të udhëzimit dhe qasjes sa më të lehtë në përmbajtjen e tij duke respektuar parimet themelore të përcaktuara me udhëzim administrativ Nr. 03/2013 për standardet e hartimit të akteve normative.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia e Francës, Paris Saint-Germain dështoi të transferoj mbrojtësin e…