Mocioni i LV-së për qeverinë, joserioz

19 gusht 2020 | 11:10

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaqir Totaj, ka deklaruar se iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për rrëzimin e qeverisë është joserioze. Ai ka thënë se qeveria nuk mund të rrëzohet pa i siguruar votat në Kuvend.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se PDK-ja merret me këtë çështje vetëm pasi mocioni të vijë në Kuvend. “Derisa nuk i ka nënshkrimet dhe nuk arrin ta mbledhë numrin e mjaftueshëm të votave për mocion, ne e konsiderojmë iniciativë  joserioze. Ndërsa neve nuk na është drejtuar në mënyrë formale e as zyrtare ashtu siç do të duhej t’i drejtohej një parti partisë tjetër. Apelet në konferenca për media për ne janë joserioze”, ka thënë Totaj.

Ai ka vlerësuar se tani nuk është koha e duhur për ta rrëzuar qeverinë. “Çështja  e rrëzimit të qeverisë duhet të ndërlidhet edhe me momentumin. Pra, të shihet se kur është momenti më i volitshëm për të shkuar në zgjedhje. Jo vetëm ta rrëzojmë qeverinë pa ditur çka më tutje”, është shprehur ai.

Nënkryetari i PDK-së ka mohuar çdo mundësi që kjo parti të hyjë në qeverinë aktuale. “Edhe kur është formuar qeveria aktuale, PDK-ja ka deklaruar se do të jemi në opozitë, sikurse po themi edhe tani se do të qëndrojmë në opozitë. Kam dëgjuar nëpër media lloj-lloj informacionesh për këtë çështje, por unë ju siguroj se zyrtarisht në Kryesinë Qendrore të PDK-së nuk është diskutuar çështja e hyrjes së PDK-së në qeveri”, ka thënë Totaj.

“Epoka e re”: Z. Totaj, Lëvizja Vetëvendosje që disa ditë ka filluar procedurat për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë. E ka shqyrtuar PDK-ja këtë çështje dhe cili është qëndrimi juaj përfundimtar?
Totaj: Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka qasjen serioze sa i përket kësaj pune. Ajo spekulon shumë dhe është jokonsekuente në qëndrime. PDK-ja as herën e parë kur është rrëzuar qeveria nuk ka dhënë nënshkrime për mocion dhe as kësaj radhe nuk do të japë. Nëse LV-ja e ka seriozisht këtë çështje, le ta dëshmojë, t’i mbledhë votat dhe le ta sjellë mocionin në Kuvend dhe të na drejtohet në mënyrë formale dhe zyrtare për bashkëpunim, atëherë ne do ta shqyrtojmë seriozisht këtë çështje dhe do të vendosim.

“Epoka e re”: Pse e konsideroni joserioze iniciativën e LV-së?
Totaj: Derisa nuk i ka nënshkrimet dhe nuk arrin ta mbledhë numrin e mjaftueshëm të votave për mocion, e konsiderojmë iniciativë joserioze. Ndërsa neve nuk na është drejtuar në mënyrë formale e as zyrtare, ashtu siç do të duhej t’i drejtohej një parti partisë tjetër. Apelet në konferenca për media për ne janë joserioze.

“Epoka e re”: Ende s’ju është drejtuar zyrtarisht, për t’jua kërkuar nënshkrimet dhe votat për mocion?
Totaj: Jo, jo, ende.

“Epoka e re”: Përmes këtij mocioni po kërkohet rrëzimi i kësaj qeverisë, të cilën po e kritikon edhe PDK-ja. Cili është vlerësimi juaj për punën e deritashme të qeverisë?
Totaj: Për punën e kësaj qeverie ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi optimistë. Pra, ne nuk kemi pasur ndonjë pritje nga kjo qeveri, sepse edhe kjo, sikurse ajo para saj, nuk do të sjellë ndonjë performancë të mirë. Ne kemi qenë skeptikë dhe për këtë arsye nuk jemi bërë pjesë e kësaj qeverie. Kemi qenë skeptikë sepse kjo qeveri është produkt i qeverisë së kaluar, e cila ka qenë totalisht e dështuar. Jo vetëm çështja e pandemisë, por edhe shumë gjëra të tjera nuk janë duke u menaxhuar si duhet. Qasja e kësaj qeverie ndaj pandemisë dhe masat të cilat po merren janë më tepër eksperimentale. Pra, këto masa nuk janë pasojë e ndonjë analize të mirëfilltë. Prandaj ne jemi shumë skeptikë për punën e kësaj qeverie. Besoj se zhvillimet e ardhshme do të tregojnë sesi do të procedojmë. Çështja  e rrëzimit të qeverisë duhet të  ndërlidhet edhe me momentumin. Pra, të shihet se kur është momenti më i volitshëm për të shkuar në zgjedhje. Jo vetëm ta rrëzojmë qeverinë pa ditur çka më tutje.

“Epoka e re”: Mendoni se nuk është koha për rrëzimin e qeverisë?
Totaj: Konsiderojmë se tani është koha e prioriteteve të tjera. E kemi pandeminë. Partia që ka iniciuar këtë mocion duhet ta dëshmojë se e ka seriozisht këtë çështje. Ta sjellë mocionin në Kuvend, të na drejtohet zyrtarisht, atëherë ne do ta shqyrtojmë këtë çështje dhe e shohim se si do t’ia bëjmë.

“Epoka e re”: Së fundi është folur për mundësinë e hyrjes së PDK-së në qeverinë aktuale. E keni diskutuar këtë çështje në kryesi të partisë?
Totaj: Pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar në mënyrë shumë korrekte se e pranojmë humbjen dhe do të jemi në opozitë. Neve elektorati na ka caktuar vendin në opozitë dhe do ta respektojmë verdiktin e elektoratit. Edhe kur është formuar qeveria aktuale PDK-ja ka deklaruar se do të jetë në opozitë, sikurse po themi edhe tani se do të qëndrojmë në opozitë. Kam dëgjuar nëpër media lloj-lloj informacionesh për këtë çështje, por unë ju siguroj se zyrtarisht në Kryesinë Qendrore të PDK-së nuk është diskutuar çështja e hyrjes së PDK-së në qeveri. Pra, nuk ka pasur diskutime zyrtare për këtë çështje.

“Epoka e re”: Ka pasur edhe individë brenda PDK-së që kanë kërkuar përfshirjen e PDK-së në qeveri.
Totaj: Këto deklarime i kam parë si një tregues se PDK-ja jo vetëm që ka emrin Partia Demokratike, por është edhe parti e tillë, sepse askujt nuk i ndalohet të ketë një mendim tjetër, mirëpo vendimet merren në Kryesi të PDK-së dhe aty vendos shumica.

 “Epoka e re”: A mund të presim që në të ardhmen të diskutohet kjo çështje apo PDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa shkuar në zgjedhje?
Totaj: PDK-ja tani për tani nuk ka ambicie për të hyrë në qeveri. Natyrisht se ne jemi të përgatitur për zgjedhje. Në momentin kur të krijohen kushtet më të mira për zgjedhje, pra kur të kalojë pandemia, do ta themi mendimin tonë. PDK-ja është forcë politike relevante. Po shihet se proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, pa angazhimin serioz të PDK-së po shkojnë shumë më ngadalë. Natyrisht se ne kemi ambicie të hyjmë në qeveri pasi t’i fitojmë zgjedhjet, me kryeministër Kadri Veselin.

 Epoka e re”: Kur mendoni se do të jetë koha e duhur për rrëzimin e qeverisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja?
Totaj: Ka shumë mendime në këtë drejtim. Personalisht mendoj se gjatë këtij viti nuk është momentumi për rrëzimin e qeverisë. Në vitin e ardhshëm duhet të shohim se çfarë zhvillimesh do të kemi, se si është situata me pandeminë, pastaj të vendosim.

“Epoka e re”: Ju jeni edhe kryetar i Degës së PDK-së në Prizren. Si po ecën qeverisja e LV-së në këtë komunë?
Totaj: Kryetari Haskuka ka reaguar në mënyrë shumë arrogante duke shkarkuar disa drejtorë të shkollave që kanë qenë ushtrues detyre, ndërsa te disa drejtorë të shkollave të tjera ku ushtruesit e detyrës kanë qenë anëtarë të LV-së nuk janë shkarkuar. Konsiderojmë se këtu kemi mosrespektim të procedurave. Në njërën anë LV-ja ankohet se qeveria është shkarkuar në kohë të pandemisë, duke deklaruar se në kohë të pandemisë nuk duhet të merret me shkarkime, në anën tjetër këta vetë reagojnë në mënyrë shumë të vrazhdë, joligjore, duke i shkarkuar drejtorët. Aq më keq, atyre drejtorëve që ua kanë dërguar vendimet për shkarkim nuk ua kanë dërguar edhe kontratën se ku sistemohen pastaj ata, e cila është në kundërshtim me ligjin. Për këtë çështje shumë shpejt do të dalim në një konferencë për media.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Kudusi LAMA Dhe megjithëse me gjuhë gjarpri, shkruesi detyrohet…