Nuk bëhet drejtësia si dëshiron një shkrues raportesh (30)

19 gusht 2020 | 11:07

Shkruan: Kudusi LAMA

Dhe megjithëse me gjuhë gjarpri, shkruesi detyrohet edhe këtu të deklarojë se kush ishin fitimtarët dhe kush ishin humbësit e luftës. Për këtë shprehet: “Nuk mund dhe nuk duhet të ekzistojë një drejtësi për fituesit dhe një tjetër drejtësi për të mundurit. Në çdo konflikt, tërë kriminelët duhet të ndiqen penalisht dhe të cilësohen përgjegjës për aktet e tyre të paligjshme, cilido qoftë kampi të cilit i përkasin dhe pavarësisht nga roli politik që kryejnë”. Plotësisht dakord jam edhe unë që çdo kriminelë pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare apo grupin luftarak të cilit i përket duhet të ndëshkohet me rreptësinë më të madhe të mundshme. Por gjithnjë përballë fakteve, jo përballë shpifjeve. Nuk bëhet drejtësia si dëshiron një shkrues raportesh, por si paraqitet gjendja e fakteve në terren. E terrenin përsëri kjo rezolutë e përcakton kështu: “Çështja më e mprehtë dhe më delikate, nga pikëpamja humanitare, është ajo që ka të bëjë me personat e zhdukur. Nga mbi 6 000 dosjet e personave të zhdukur të çelura nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, rreth 1 400 persona janë gjetur të gjallë dhe 2 500 kufoma janë arritur të zbulohen e të identifikohen. Është fjala në shumicën e tyre për viktima kosovare shqiptare të gjetura në varret masive të zbuluara në rajonet që janë nën kontroll serb dhe në Kosovë”. Si qenka e mundur të zbulohen të zhdukurit në Serbi e nga serbët, të cilët i kanë zhdukur dhe fshehur me organizim shtetëror, me mjete shtetërore, me polici e ushtri, me gjithë mundësitë për t’i dërguar sa më larg deri në Danub e për t’i groposur sa më thellë. Ndërsa nuk arrihet të gjendet asgjë nga pretendimi për të zhdukurit nga UÇK-ja, që për të zhdukur një njeri do të duhej përdorur kazma e lopata se mjete të tjera nuk ka pasur. Do të duhej marrë në shpinë me barelë se as automjete për transport nuk ka pasur. Dhe megjithatë nuk gjendet asgjë, por shkruhet se megjithatë luftëtarët e UÇK-së janë kriminelë. Absurditet naiv.

Rezoluta që shoqëron këtë raport, e cila kuptohet, që siç shihet dhe e theksuam edhe më lartë, është përpiluar po nga e njëjta dorë, përmban elementë që unë pajtohem me ta, pasi duket se janë të drejta. Por në vazhdim tërheqin vëmendjen disa pika të saj, për të cilat nuk mund të kalohet pa reaguar.

Në pikën 2, duke pretenduar të vërtetojë të pa vërtetueshmen, duke iu referuar Karla Del Pontes, thotë: “… këto akte ishin kryer nga anëtarë të milicive të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) ndaj shtetasve serbë mbetur në vend në fund të konfliktit të armatosur dhe të cilët ishin zënë robër”. Unë pyes, gjithkënd që ka jetuar në atë kohë në Kosovë dhe në Shqipëri; a ka pasur baza të UÇK-së në Shqipëri pas datës 22 qershor, kur është konfirmuar largimi i ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova? Një përgjigje e tillë në këtë pyetje është përgjigja me e qartë për pavërtetësinë e pretendimit. Le të dalë dikush para meje dhe të thotë se ka pasur baza të UÇK-së në Shqipëri pas datës 22 qershor 1999. Sepse një gjë e tillë nuk ka ekzistuar. Ai terren ka qenë nën kontrollin tim se kam qenë komandant i asaj zone. Dhe kam qenë një komandant që vërtetë komandant.

Njëkohësisht, unë me cilësinë e komandantit të zonës, pas datës 13 qershor, kur kam përcjellë për në Kosovë forcat gjermane të KFOR-it, jam detyruar të ve të gjitha forcat ushtarake të divizionit me qendër në Kukës, që të kontrollojnë gjithë zonën prej bjeshkës së Kallabakut e deri në tre kufijtë me Malin e Zi, për të mbledhur armatim e municione, nëse kishin mbetur prej luftëtarëve në rrugët e kalimit të tyre për në front dhe në vendqëndrimet e tyre. Dhe së dyti, për të evidencuar edhe njëherë me saktësi rajonet e minuara në kufi prej forcave serbe gjatë luftës. Raportimi për zbatimin e këtyre detyrave më është bërë me datën 28 qershor 1999 nga personat përgjegjës. Si ka mundësi që efektivat e kuadrove oficerë dhe të ushtarëve të divizionit që drejtoja, megjithëse shkelën me këmbë çdo pëllëmbë vend, nuk u ballafaquan me asnjë pamje të tillë dhe duhet të zbulohen 12 vjet më vonë, prej dikujt që nuk di as se ku është ky rajon?

Pa folur që prej atij momenti në gjithë hapësirën e vijës kufitare kanë vepruar forca speciale xheniere dhe ekspert ndërkombëtarë për pastrimin e terrenit nga minat serbe, sepse u bënë shkak i qindra aksidenteve e vdekjeve të kalimtarëve luftëtarë në kohën e luftës apo të rastit pas përfundimit të luftës. Edhe ata megjithëse ishin vëzhgues të imtë të çdo vendi të strehimit, apo të rrugëkalimit nuk vërejtën asgjë të dyshimtë të këtyre pretendimeve.

Në pikën 3, pretendohet se pasi janë mbledhur informata të shumta, (kuptohet në kuadër të hamendësimeve), është “gjetur” më në fund se “këto akte ishin kryer nga anëtarë të milicive të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) ndaj shtetasve serbë mbetur në vend në fund të konfliktit të armatosur dhe tê cilët ishin zënë robër”. Për këtë në radhë të parë duhet thënë se Policia Ushtarake e UÇK-së ka qenë në numër shumë e kufizuar dhe nuk ka pasur kohë të merret me gjëra të tilla, sepse kishte detyra mjaft të dendura me shoqërimin e kolonave që shkonin çdo ditë drejt frontit; me furnizimin materialo-teknik e me armatim municion të fronteve, që kishin nevoja të vijueshme, për faktin se furnizimi bëhej me kafshë, pasi rrugët i kontrollonte ushtria dhe policia serbe, ashtu edhe mjetet e transportit e magazinat i kishin ata. Pa folur që duhej shumë kujdes në kalimin e kufirit midis Shqipërisë e Kosovës sepse ushtria serbe kishte bërë minime masive në kufi, e për këtë ishte e fokusuar më së shumti policia ushtarake e UÇK-së. Se kur kanë pasur kohë tjetër ata që të merren me trajtime burgjesh, këtë nuk arrij ta kuptoj, megjithëse gjithnjë kam qenë në detyrë dhe mendoj se e kam kontrolluar mirë zonën time të përgjegjësisë, jo vetëm me informacione për edhe duke qenë vazhdimisht vetë në lëvizje, duke parë me sy, duke prekur me dorë e duke shkelur me këmbë çdo pëllëmbë vendi të zonës dhe të vijave të fronteve e të bazave të furnizimit dhe të trajnimit të luftëtarëve.

Ndërsa në pikën 4, thuhet: “… në periudhën menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur, para se forcat ndërkombëtare të merrnin me të vërtetë në dorë kontrollin e rajonit dhe të vendosnin njëfarë rendi e ligjshmërie, robërve të zënë duhet t’u jenë marrë organet në një klinikë të ndodhur në territorin shqiptar, pranë Fushë-Krujës, për t’u transportuar më pas jashtë shtetit për qëllime transplantimi”. Ky deklarim mendoj se është plotësisht abuziv dhe mashtrues, pasi pas përfundimit të luftës, nga djemtë e vashat luftëtarë të UÇK-së nuk ka pasur asnjë në Shqipëri, pasi të gjithë vrapuan drejt vendit të tyre dhe u angazhuan për të kontribuar për stabilizimin e jetës në vend, pikërisht që të mos kishte asnjë problem me vendosjen e të kthyerve në vatrat e tyre, pasi të gjitha sakrificat për këtë ishin bërë. Së dyti, forcat ndërkombëtare sipas marrëveshjeve të nënshkruara me shtetin shqiptar është e vërtetë që kanë kaluar nëpër Shqipëri, por nuk kanë pasur asnjë detyrë e të drejtë të marrin në kontroll mbi territorin e Republikës së Shqipërisë. Shteti shqiptar do të ishte me shumë vend, për shprehje të tilla të kërkonte llogari prej autorit dhe Këshillit të Evropës që e ka pranuar këtë deklarim të papërgjegjshëm dhe denigrues për shtetin, pasi kuptohet me mendësi të tilla Evropa ka që në vitin 1992 që e zvarrit Shqipërinë në rrugën për anëtarësim, pasi duhen trajtuar shqiptarët në mënyrën si trajtohen në këtë raport. Dhe jam i sigurt se Evropa meqenëse ka këto mendime për Shqipërinë as që ka për ta pranuar ndonjëherë ndoshta edhe për 30 vjet të ardhshme, megjithëse Shqipëria është i pari shtet i dalë nga diktatura në vitet ’90, që ka bërë kërkesë për t’u anëtarësuar në vitin 1992.

Po kështu në pikën 5, bëhet një lidhje shumë e pa bazë, kur deklarohet: “Ky aktivitet kriminal, që u zhvillua duke përfituar nga kaosi që sundonte në rajon dhe me nismën e disa drejtuesve të milicive të UÇK-së të lidhur me krimin e organizuar, ka vazhduar, ndonëse në forma të tjera, gjer në ditët tona, siç e vërteton një hetim që po kryen Misioni i Bashkimit Evropian për Shtetin Juridik në Kosovë (EULEX) lidhur me klinikën “Medicus” në Prishtinë”. Nuk mund të pranohet se në Shqipëri dhe në Kosovë ka pasur kaos, që edhi dhe e zbuloi zotëri Marty. Askush nuk ka shkruar deri sot në këtë mënyrë. Dua të them se as gjatë luftës nuk ka pasur kaos, se po të ishte ashtu do të kishte ndodhur një e keqe e madhe kur ishin 1.5 milion njerëz të shpërngulur nga shtëpitë e tyre prej pushtuesit serb. Ky kaos mendoj se ekziston vetëm në kokën e zotëri Martyt, i cili me çdo mënyrë përpiqet të denigrojë jo vetëm njerëzit, por edhe gjithë hapësirën shqiptare.

Ndërsa për sa iu përket lidhjeve të luftës me klinikën “Medicus” në Prishtinë, nuk e kuptoj se si mund të krijohet një lidhje e tillë. Ajo klinikë ka qenë legale, e kanë ditur të gjithë, nëse ka bërë punë të paligjshme le të jepet llogari prej të gjithë atyre që kanë lidhje interesash me të, por të mendohet e të deklarohen lidhje të saj me periudhën e Luftës Çlirimtare më duket një dashakeqësi e paramenduar prej hartuesit të raportit.

Njëkohësisht vërej se zotëri Marty në deklaratën që ka paraqitur sipas raportit të tij në emër të Këshillit të Evropës, e ka bërë të vërtetë, që disa prej drejtuesve të milicive të UÇK-së janë të lidhur me krimin e organizuar, sikur të hante bukë me djathë – themi ne shqiptarët. Po pse more zotëri bëni deklarime që zakonisht bëhen pasi të marrë vendim gjykata? Ju nuk besoj se jeni edhe politikan, edhe hetues, edhe prokuror, edhe gjykatës; besoj se ju kishit për detyrë të bënit një hetim politik, por pa fuqinë e prokurorit e të gjykatësit.

Le të lexojmë pikën 8, të kësaj deklarate: “GJPNIJ, që kish nisur të bënte një shqyrtim të parë në vend për të zbuluar praninë e gjurmëve të një trafiku të mundshëm organesh, i braktisi hetimet. Elementët e provës të zbuluara në Rripe të Shqipërisë janë shkatërruar dhe rrjedhimisht, nuk mund të shfrytëzohen për analiza të mëtejshme. Kështu, asnjë hetimi nuk i është shkuar më tej për një çështje të konsideruar megjithatë aq serioze sa ish Kryeprokurorja e GJPNIJ-së e pa të arsyeshme të bënte publike në librin e saj”. Pse zotëri bëheni kaq qesharak, kur bëni një deklaratë të tillë? Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Karla Del Ponte ishte aq e fuqishme, sa kur ishte çështja e mbrojtjes së serbëve dhe Serbisë mori Sllobodan Millosheviqin dhe e burgosi në Hagë, si ka mundësi që paska dështuar para një shtëpie fshatari? Kush të beson? Si mund të dështonte Karla Del Ponte, si mund të tërhiqej ajo, si mund të mos bënte të paktën një deklaratë sa ishte në detyrë? Jo zotëri, askush nuk i ha këto kumbulla të tuat se i mpihen dhëmbët. Detyra për të bërë këtë që po bëni u mor me vonesë, pasi ishin kaluar disa faza, pasi siç dukej Serbia mendonte se pas dorëzimit të Millosheviqit do të konsiderohej e larë, por kur kuptoi se duhej dhënë llogari se shqiptarët do të kërkonin gjithçka që u takonte, u thirr nga padronët serb Del Ponte. E meqë ajo ishte në fund të mandatit, u përgatit shpejt e shpejt libri i famshëm i saj, kurse në fushën institucionale misioni i shëmtuar kaloj tek ju, që të shfrytëzonit dritaren e Këshillit të Evropës, siç po e shfrytëzoni.

Në pikën 9 të deklaratës jeni shprehur se: “Gjatë fazës vendimtare të konfliktit të armatosur, NATO-ja ndërhyri me anë goditjesh ajrore, ndërkohë që operacionet tokësore drejtoheshin nga UÇK-ja, aleate faktike e forcave ndërkombëtare. Pas largimit të autoriteteve serbe, aktorët ndërkombëtarë të ngarkuar me sigurinë në Kosovë u mbështetën gjerësisht tek forcat politike në pushtet në Kosovë, të dala kryesisht nga kuadro të UÇK-së”. Me gjithë tendencën tuaj në formulimin e kësaj pike, vlerësoj se kur shpreheni që “NATO-ja ndërhyri me anë goditjesh ajrore, ndërkohë që operacionet tokësore drejtoheshin nga UÇK-ja, aleate faktike e forcave ndërkombëtare”, keni të drejtë. Është e vërtetë që operacionet tokësore ishin përgjegjësi e UÇK-së sepse për këtë qëllim i kishin rrëmbyer armët ata djem e vasha të Kosovës. Prandaj nuk kishin si të mos ishte UÇK-ja aleatja reale e NATO-s. Por kur thoni se “aktorët ndërkombëtarë të ngarkuar me sigurinë në Kosovë u mbështetën gjerësisht tek forcat politike në pushtet në Kosovë, të dala kryesisht nga kuadro të UÇK-së”, mendoj se e keni gabim. Pikërisht këtu qëndron edhe fakti që ju arrini sot të na bëni portretin që përpiqeni të na bëni, sepse aktorët ndërkombëtarë në Kosovë nuk u mbështetën tek potencialet politike dhe ushtarake të dalë nga Lufta Çlirimtare e Kosovës. Po ta kishin bërë këtë nuk do të kishin dështuar në udhëheqjen e Kosovës në këtë periudhë kalimtare. Po ta kishin bërë këtë do të kishin dalë fitimtar ashtu siç doli NATO-ja me operacionet e saj ajrore, kur kishte UÇK-në si ushtri tokësore. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zinedine Zidane mund të thuhet se e ka merituar një…