Molliqaj: Albini si Hashimi

10 janar 2019 | 15:10

Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka kritikuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin për ndryshim të qëndrimit ndaj Gjykatës Speciale.

Duke iu referuar shkrimit të fundit të Kurtit, i cili e fton presidentin Thaçi të dorëzohet në Hagë, Molliqaj ka deklaruar se dikur Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar Gjykatën Speciale duke thënë  se drejtësia e çlirimit nuk mund të na vijnë nga jashtë.

Në profilin e vet në “Facebook”, Molliqaj ka shkruar se edhe Albini është si Hashimi, i cili punon me vegla e instrumentalizon çdo gjë.

Postimi i plotë  i Molliqajt:

 Rrofte baba, poshtë UÇK-ja! Ky ishte mësimi

Ku kemi dalluar asokohe si VV nga LDK dhe një pjesë e shoqërisë civile rreth Gjykatës Speciale është pikërisht kjo: ne thoshim se kriminelët e korruptuar që e kanë kapur shtetin duhet t’i dënojnë gjykatat tona për këto vepra; thoshim po ashtu se drejtësia e çlirimi nuk mund të na vijnë nga jashtë, ato janë autentike; një Gjykatë e veçantë vetëm për Kosovën, për më tepër një etnike është e papranueshme në secilin rast. Pavarësisht kush mund te arrestohet. Madje herë pas here thoshim se pushteti i VV-së nuk do t’i dorëzoje çlirimtarët.

Sot kanë ndërruar yjet, tjetër këngë këndohet. Gjykata Speciale, varet…Nëse e arreston Hashim Thaçin edhe bën.

Duke i personalizuar marrëdhëniet politike deri në obsesion, Albini është zhytur e ka humbur brenda orbitës së kundërshtarëve, duke përvetësuar mënyrat e tyre. Sikur Hashimi, edhe ky punon me vegla e instrumentalizon çdo gjë. Sikur Hashimi, edhe ky është frikacak që nuk ka pranuar të marrë mbi vete asnjë rrezik. Asnjë! Sikur Hashimi, edhe ky zgjohet në mëngjes me dy fjalë: unë dhe historia.

Parimi është i tillë vetëm kur është i verbër karshi emrave konkretë. Parimet dhe e vërteta nuk kanë karakter primordial. Ato nuk mund të lidhen për kërthizën e askujt, as te Albinit. Ata që e japin UÇK-në në kuadër të luftës së brendshme politike, e duan pushtetin dhe jo Kosovën. E duan veten dhe jo UÇK-në. Prandaj, nuk janë as parimorë e as të vërtetë.

Rroftë baba, poshtë UÇK-ja! Ky ishte mësimi. Secili subjekt është i përkohshëm, edhe Albini shkoi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça në Kosovë kanë hyrë në…