
Molliqaj për kryetar Ahmetin: Qeverisja e tij nuk përfaqëson vlerat e PSD-së
Nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti e Dardan Molliqaj kishin dalë për shkak të pakënaqësive e me disa ish-deputetë e kishin formuar Partinë Socialdemokrate. Duket se as në PSD Ahmeti dhe Molliqaj nuk kanë qëndrime të njëjta. Madje, sipas kryetarit të këtij subjekti, i pari i Prishtinës nuk përfaqëson vlerat e partisë në të cilën bën pjesë me qeverisjen e tij në kryeqytet. Partia Socialdemokrate momentalisht është duke udhëhequr në dy komuna të vendit, në kryeqytet dhe në Kamenicë.
Por, kryetari i këtij subjekti ka kritika kur flet për punën që është duke bërë në Prishtinë, Shpend Ahmeti, e thur lavde kur pyetet për Qëndron Kastratin.
Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, thotë se Shpend Ahmeti nuk i përfaqëson vlerat e subjektit në të cilën bën pjesë në qeverisjen në Komunë të Prishtinës. “Shpendi është anëtar i PSD-së, vetëm anëtar i thjeshtë, krejtësisht është autonom në qeverisjen në Prishtinë. Qeverisja në Prishtinë nuk i paraqet bindjet dhe vlerat e Partisë Socialdemokrate të strukturës së re që udhëheq me Partinë Socialdemokrate, ndonëse ai është anëtar, por qeverisja e tij nuk i paraqet bindjet dhe vlerat tona dhe as strukturat nuk i paraqesin bindjet dhe vlerat e Shpendit. Ka një autonomi absolute, që s’është e njëjtë me Kamenicën. Në Kamenicë Qëndroni me punën e vet paraqet politikat, përveç që është nënkryetar, me mënyrën qysh i merr vendimet sa ma të majta”, ka thënë Molliqaj kur është pyetur për punën e Ahmetit.
Ai ka pasur kritika edhe për propozimin që në Prishtinë të vendoset taksë prej 10 eurosh.
Molliqaj thotë se për këtë temë ka folur edhe me kreun e Prishtinës, megjithatë, shprehet kundër taksës. “E para, pasi fola me Shpendin, nuk pashë se ka taksë për ata që vijnë nga jashtë. Kishte propozim për taksë të kujtdo që vjen brenda Prishtinës, nëse endësh me veturë, jam absolutisht kundër rregullimit të organizimit urban mbi baza të pagesës. Për mua kjo është ndarje klasore. Absolutisht kundër taksës. Jo të Shpendit, po të kujtdo që e rregullon jetën urbane përmes të ardhurave ose pagesës”, ka thënë ai në Klan Kosova.