Moment i ndjeshëm ekonomik dhe institucional për Kosovën e qytetarët e saj
Shkruan: Hisen Berisha
Kosova ndodhet në një moment të ndjeshëm ekonomik dhe institucional, ku pasojat e keqqeverisjes po bëhen të dukshme në çdo fushë të jetës publike. Bllokimi i buxhetit, paraliza administrative dhe mungesa e përgjegjësisë qeveritare po e çojnë vendin drejt një viti 2026 pa qeveri funksionale dhe pa vizion zhvillimor. Kjo është pasojë direkte e modelit politik që ka ndërtuar pushteti aktual – pa legjitimitet kushtetues e ligjor – një model i bazuar në përjashtim, konflikt dhe propagandë, jo në bashkëpunim institucional dhe dialog demokratik.
Në vend që të krijohen kushte për miratim të buxhetit dhe stabilitet fiskal, kemi një qeveri që përpiqet ta mbajë pushtetin përmes krizës.
Kjo strategji shkatërron besimin e qytetarëve dhe e paralizon funksionimin e shtetit.
Ndërkohë, pasojat ekonomike janë të rënda: investimet e huaja kanë rënë, rritja ekonomike është ngadalësuar, ndërsa çmimet dhe papunësia po mbeten në nivele të papërballueshme për shumicën e qytetarëve.
Masat ndëshkuese të Bashkimit Europian dhe mosmiratimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë sinjale të qarta të izolimit politik të Kosovës nga partnerët e saj tradicionalë. Qeveria aktuale, në vend që të rikthejë besimin e aleatëve, e ka zhytur vendin në përplasje me BE-në dhe në tension të vazhdueshëm me SHBA-të – deri në pezullimin e dialogut strategjik SHBA – Kosovë, duke dëmtuar rëndë pozitën ndërkombëtare të Republikës.
Propozimi buxhetor i kryeministrit kujdestar dhe kabinetit të tij paraqet probleme serioze ligjore dhe procedurale: çdo ofertë buxhetore që vjen në tejkalim të kompetencave të Qeverisë në detyrë, dhe që bie ndesh me vendimet e Gjykatës Supreme apo me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është jokushtetuese dhe e papranueshme.
Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe praktikat kushtetuese qartësojnë se projektbuxheti është nismë e ekzekutivit të emëruar dhe me mandat nga Kuvendi; një qeveri pa mandat politik të votuar në Kuvend, nuk ka kompetencë për të miratuar një buxhet të ri vjetor përtej shpenzimeve të domosdoshme që rregullohen me ligjin përkatës. Çdo tentativë për të imponuar oferta buxhetore në këto rrethana do të cenonte ndarjen e pushteteve dhe do të rrezikonte stabilitetin fiskal dhe kushtetues të shtetit.
Kosova ka nevojë për një qeveri të re me legjitimitet të plotë demokratik, që ta kthejë shtetin në binarë institucionalë dhe ta orientojë vendin drejt zhvillimit, integrimit dhe stabilitetit. Çdo ditë shtesë me këtë strukturë kujdestare është humbje për ekonominë, për partneritetin ndërkombëtar dhe për të ardhmen e qytetarëve tanë.
Prandaj, zgjidhja politike dhe ekonomike e Kosovës fillon me ndaljen e këtij stagnimi artificial dhe me kthimin e legjitimitetit tek qytetari përmes zgjedhjeve të reja. Vetëm një qeveri që buron nga vullneti i lirë dhe i ndershëm i popullit mund të rikthejë stabilitetin institucional, besimin ndërkombëtar dhe perspektivën e zhvillimit real për vitin 2026 e më tej.
Në mungesë të këtij rigjallërimi institucional, rekomandohet formimi i një “qeverie të përkohshme ekspertësh” dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile, me mandat të përkohshëm e të kufizuar, prioriteti kryesor i sëcilës do jetë miratimi i një buxheti të qëndrueshëm dhe ligjor për vitin 2026, rikthimi i funksionimit normal të institucioneve dhe organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Çdo zgjidhje tjetër politike që lind nga aritmetikat politike e manipulative, pa shumicë reale dhe pa besim publik, do të mbetet pa legjitimitet moral dhe juridik.
Kosova ka nevojë për përgjegjësi, jo për eksperimente me rendin kushtetues.
Në vend të krizës së qëllimshme, duhet një qeveri që i shërben qytetarëve dhe jo interesave të ngushta; duhet solidaritet institucional dhe respekt për Kushtetutën. Çdo lojë politike mbi kurrizin e qytetarëve është e papranueshme.
                        


                                        
                                        
                                        
                                        
                                        
                                        