‘Mos më thuaj…’, shënjues i rrjedhojave të luftës, i vuajtjeve dhe pësimeve të saj

03 nëntor 2022 | 16:28
Sali Bytyçi

Dhënia e luftës jo direkt, po sipas pasojave që sjell ajo, në letërsinë shqipe është e njohur me romanin e Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, edhe pse këto dy vepra janë të ndryshme mes tyre.

Narratorja e romanit dhe protagonistja në të njëjtën kohë, është një mjeke, gjinekologe, e cila do të shkruajë një roman për kohën në të cilën njerëzit donin ta zhbinin njëri-tjetrin.
Në këtë roman është dhënë ana e jashtme e luftës, si vrasjet, djegiet, dhunimet etj., po narratorja më shumë fokusohet te bota e brendshme e personazheve, te fati i tyre në luftë, te përjetimet e tyre, te plagët që i marrin këto personazhe. Luftën e jep përmes fatit të një vajze 18-vjeçare, Butës, e cila ishte përdhunuar nga forcat serbe gjatë depërtimit masiv të popullsisë shqiptare në Shqipëri dhe, si pasojë e këtij përdhunimi, kishte ngelur shtatzënë.
Pra, pasojat e luftës nuk ndodhin vetëm për kohën sa zgjat lufta, por edhe pas saj. Shtatzënësia e Butës, lë të kuptohet se, ashtu siç e bart Butja në barkun e saj frytin e dhunimit, njeriu që ka përjetuar luftën, pasojat e saj do t’i bartë edhe më tej. Ky njeri për një kohë të gjatë, disa edhe deri në vdekje, do të jetojë me pasojat e luftës.
Si të sillet Butja ndaj këtij “fryti” të dhunimit, të jetojë me të dhe kështu të mbijetojë, apo të përfundojë bashkë me të?
Pra, autorja në romanin e saj ka trajtuar një temë që përshkohet përmes etikës dhe ekzistenciales: Si të sillet njeriu ndaj frytit të përdhunimit, kur ky fryt është bërë pjesë e tij?
Dhënia e luftës përmes fatit të femrës në luftë, e bën më të ndjeshme këtë temë. Po të ishte mashkull Butja, do të përfundonte me një plumb pas kokës dhe, me këtë dhimbje të madhe, do të përfundonin edhe dhimbjet e saj njëherë e përgjithmonë, ndërkaq, si femër, nuk vritet me plumb, por “vritet” përmes përdhunimit, vrasje të cilën edhe për një kohë do ta bartë me vete e në vete në jetën e saj. Fundi i luftës për të gjithë të tjerët nuk shënon edhe fundin e luftës për të dhunuarën, sepse ajo tani është në një luftë të re jo vetëm me dilemat e saj, por edhe me mentalitetin e shoqërisë e cila nuk e gjykon veten pse nuk mundi ta mbrojë atë nga dhunimi, po e gjykon të dhunuarën! Një qëndrim i tillë ndaj të dhunuarës nga forcat serbe do të thotë përsëritje e dhunimit tani në rrethana të tjera. Në pamundësi ta përballojë këtë dhunim të dytë, Butja bën vetëvrasje. “Mirëpo, motivi i vetëvrasjes së Butës në romanin ‘Mos më thuaj…’ është diçka më shumë sesa shënjues i thjeshtë i rrjedhojave të luftës, i vuajtjeve dhe pësimeve të saj”.
Butja bën vetëvrasje sepse ajo nuk mund ta durojë dyfytyrësinë e shoqërisë në të cilën jeton, nuk mund ta durojë gjykimin që bën kjo shoqëri ndaj saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Jeffrey M. Hovenier, ambasador i ShBA-së në Kosovë Gjatë…