Mos u kthe në vendlindje

03 korrik 2025 | 12:09

Shkruan: Msc. Nafi Krasniqi

Njeriu ka mall… Ka mall sepse ka jetuar, ka dashur, ka humbur, ka kujtuar. Malli lind nga kujtimet, nga ndjenjat e paprekshme, nga nostalgjia që na ndjek pa zë. Është mungesa e atyre gjërave që kishim dikur, dhe sot nuk i kemi më, është mungesa ajo që ndez këtë mall të heshtur. Malli nuk vjen domosdoshmërisht nga mungesa, por nga kujtimet të cila na shoqërojnë edhe kur ne përpiqemi t’i harrojmë ato. Ai djeg ngadalë, pa u ndjerë, si një zjarr i brendshëm që nuk bën flakë, por as nuk shuhet. Sidomos kur bëhet fjalë për vendlindjen, familjen dhe shtëpinë e fëmijërisë. Ky mall nuk të lejon të ecësh plotësisht i lirë. Ai të mban pas, jo për të të penguar, por për të të kujtuar se kush ishe dhe nga vjen. Kur kujtimet të kthejnë pas, e kupton se pothuajse gjithçka që dikur e kishe afër, sot të mungon. Dhe mungesa të dhemb. Jo si një plagë e rëndomtë, por si një dhimbje e butë, e heshtur, që s’të lë të qetë. Mbase është dhembje e “ëmbël”, e pashërueshme, e cila të mëson të kuptosh sa shumë peshon vendlindja, familja, shtëpia… Kujtimet për vendlindjen, për njerëzit e dashur dhe për shtëpinë e fëmijërisë nuk vdesin kurrë. Ato ruhen thellë në mendje dhe shpirt, si një thesar i pamatshëm.
Vendlindja është vendi më i dashur për njeriun. Është hapësira e parë ku ndjejmë ngrohtësinë dhe dashurinë e jetës si dhe kujtimi më i virgjër që mbajmë përjetë. Shtëpia e fëmijërisë nuk veçohet për luks apo për vlerë materiale, por nga ajo se ka diçka të shenjtë në të e që nuk mund të blihet me para. Aty na janë ngulitur emrat e më të dashurve tanë. Aty ku çatia nuk mbulon vetëm muret, por një “skenë” ku brenda saj jeta zhvillohet si një melodi e qetë e bukur e cila i është kushtuar dashurisë, familjes, kombit, atdheut, Zotit… Aty ku ndjehej aroma, e bukës së gatuar nga duart e nënës. Aty ku familja nuk ishte vetëm lidhje gjaku, por edhe lidhje e shenjtë e cila të përcjell tërë jetën deri në amshim. Ajo (familja) është bashkësia ku përjeton lumturinë, dashurinë, ku mund të heshtësh dhe të kuptohesh. Është mbështetja dhe frika, ndoshta edhe humbja e parë që s’mund të harrohet.
Me kalimin e kohës, duke jetuar larg vendlindjes, në mënyrë të pashpjegueshme gjithçka që dikur të bënte të lumtur në atë vend, fillon të ndryshojë. Shtëpi të vjetra e të braktisura, rrugë që përdridhen në fshat, lagje të zbrazëta, fusha dhe male që dikur shtriheshin në horizont, e ne si fëmijë shijonim bukuritë e tyre, edhe ato sot, duken ndryshe. Sigurt edhe ne, që kthehemi, nuk jemi më të njëjtit.

Koha nuk kursen…
Koha ecën pa u ndalur dhe shpesh është e pamëshirshme, nuk kursen vend e as njeri. Me kalimin e kohës, edhe gjërat më të njohura ndryshojnë. Ajo e shkëput trupin dhe shpirtin nga e kaluara dhe kujtimet i zbeh. Aty ku dikur ndiheshe i përmbushur, sot të ka mbetur vetëm një ndjesi malli. Kthimi në vendlindje nuk është rikthim i lumturisë. Është e kotë përpjekja për të kujtuar të kaluarën me mendimet dhe ndjesinë e së tashmes dhe të shijosh kënaqësitë si në të kaluarën. Malli thellohet edhe më shumë kur kupton se lumturia e atëhershme nuk është më aty, sepse lumturia nuk të rikthehet vetëm pse ke vënë këmbë në të njëjtat rrugë dhe shtigje që ke hecur dikur. Gjithsesi, vendlindja nuk është më ajo që ka qenë, sepse, as ne nuk jemi ata që kemi qenë dikur. E vërteta është se ne jemi larguar nga vendlindja, jo pse nuk e donim, por sepse jeta është lëvizje dhe kërkon ecje para, rritje, ndryshim. Në këtë lëvizje, vendlindja mbetet pas, jo si diçka që harrohet, por si pjesë e brendshme që herë të shtyn para, e herë të tërheq pas. Kujtimi për vendlindjen është ndër kujtimet më fisnike. Ashtu siç ruajmë me kujdes fytyrën e njerëzve të dashur, ashtu duhet të ruajmë edhe ndjesinë për atë vend që na identifikon. Por, askush nuk duhet të kërkojë të hyjë sërish në të njëjtën shtëpi, me të njëjtat kujtime dhe ndjesi si dikur, sepse gjithçka ka ndryshuar, ashtu siç ke ndryshuar edhe ti. Jo vetëm shtëpia, por edhe familja ka ndryshuar. Prindërit plaken, e ndoshta nuk janë më. Motrat jetojnë gjetiu me familjet e tyre të reja. Vëllezërit kanë krijuar familje dhe janë larguar. Fëmijët janë rritur dhe shpërndarë nëpër botë. Edhe dashuritë që dikur dukeshin të përjetshme, sot kërkojnë mirëkuptim tjetër. Asgjë nuk është më si më parë, dhe nuk ka pse të jetë.

Kështu është cikli i jetës. Nuk ka kthim pas, vetëm përparim. Në këtë udhëtim të pandalshëm e të quajtur JETË, vendlindja nuk është destinacion që duhet kthehesh me çdo kusht. Ajo është pikë referimi, një kujtim i gjallë i rrënjëve tona, por jo i kufijtë tanë. Aty marrim formë, por nuk mbetemi të ngujuar. Sepse, të jetosh nuk do të thotë të mbetesh aty ku u linde, por të nisësh rrugëtimin me guxim dhe dinjitet.

Prandaj, mos u kthe për të gjetur atë që s’mund të gjindet. Kthehu vetëm për falënderime në tokën ku ke hedhur hapin e parë, ku je dashuruar dhe ke dashuruar, dhe kuptoje se: vendlindja nuk është vetëm një vend i shenjtë, por ajo është edhe ndjenjë. Gjithashtu, kuptoje se: familja që dikur të rriti, tani kërkon që edhe ti të rrisësh dikë tjetër. Jeta vazhdon me përparime të mistershme, me ndarje të dhembshme, kujtime të shenjta dhe krijime të reja plot me dashuri.

Në kujtim të vendlindjes dhe shtëpisë ku jam rrit, dhe të gjithë atyre, që për një arsye
apo një tjetër, janë larguar nga vendlindja.

Shkëputur nga dorëshkrimet “VENDLINDJA”

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Olivier Giroud është rikthyer në Francë. Sulmuesi i njohur ka…