Mos vdeksha sa të jenë në pushtet Hashimi dhe Behgjeti!

13 qershor 11:24

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Duhet të vdesësh që të vlerësojnë: Ditë më parë ndërroi jetë, sigurisht deri më tani, futbollisti më i mirë shqiptar jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet ku kanë jetuar dhe ku kanë luajtur futboll, Fadil Vokrri. Fadili rrjedh nga një familje 100 % futbollistike, babai Abdullahu ka luajtur në Klubin e Futbollit Llapi sikur edhe xhaxhallarët, Selatini dhe Muhameti, kurse vëllai më i vogël gjithashtu ka qenë futbollist i talentuar. Podujeva e Agim Veliut dhe Besiana e Adem Demaçit ka pasur futbollistë të shquar si Shaban Hajrullahu, Emin Simnica, Esat Mehmeti, Emin Ajvazi, Ibrahim dhe Ruzhdi Demiri, Fazli Llugaliu apo Xhorxh Besti llapjan, Ragip Çitaku i cili ka qenë i paparë kur e ka pasur topin në këmbë, muçollët gjithashtu dhe shumë të tjerë.

Nga Besiana janë vëllezërit Xhaka dhe vëllezërit Ajeti që kanë bërë emër në futbollin ndërkombëtar. Besiana ishte bërë qendër e shovinizmit dhe çetnikizmit serb të cilët e kishin në posedim qendrën e qytetit, kurse shqiptarët jetonin në periferi, me përjashtim të familjes së Shaban Bajgorës, babushit tim të ndjerë, e cila ishte enklavë e vetme shqiptare në qendër të Besianës. Për atë kohë Besiana ishte qendër e organizuar mirë, me lumin Llap i pastër si loti ku laheshim dhe peshkonim peshq, me një park të mrekullueshëm i cili u degradua sot e që nuk i ngjanë një parku të dikurshëm me asgjë, me një rrugë kryesore, me blinj të shumtë që, përveç aromës, na shërbente edhe për dimër duke e përdorur çajin e blirit.

Klubi i Futbollit Llapi e, më vonë, edhe ai i hendbollit kishin respekt në Kosovë dhe kishin shikues besnikë dhe lirisht mund të thuhet se më shumë shikues kishin atëherë këto dy klube sesa që kanë sot së bashku. Në Besianë ishin disa familje me traditë e që respektoheshin midis vetes, sikur të ishin një familje. Ishin familja Fusha, Çitaku, Simnica, Lepaja, Muçolli, Blakçori që ishin bërthama e Besianës e që më vonë kjo strukturë ndryshoi për shkak të lëvizjeve të popullatës në kërkim të një perspektive apo jete më të mirë. Në Besianën e atëhershme kishte bohemë që jetonin nën ndikimin e zhvillimeve në Evropë, duke filluar me ata që e dëgjonin muzikën rok përmes valëve të Radio – Luksemburgut dhe patriotëve që e dëgjonin Radio – Kukësin e që përndiqeshin nga regjimi i Serbisë.

Pionierët e bohemizmit në Llap ishin Agim Çavdërbasha që bëri emër ndërkombëtar në fushën e skulpturës, Avdush Hasani, artist me famë botërore dhe Shaip Çitaku që bëri emër në grafikë. Këta e jetonin jetën ashtu si donin, pa iu nënshtruar skemave të atëhershme që ishin etabluar si standard moral i të jetuarit e që ishte shndërruar në arketip për vlera në një mjedis të rrënuar në aspektin social dhe material. Këtyre musketarëve të parë të bohemizmit nuk u interesonin paratë, prandaj u desh ta paguajnë një çmim për jetën që e zgjodhën. I pari ndërroi jetë Avdush Hasani, pastaj edhe Agim Çavdarbasha duke e lënë Shaip Çitakun (baba i ambasadores Vlora Çitaku), pa krahë dhe pa motiv për ta vazhduar atë stil të jetës. Krahu i Radio – Kukësit identifikohej me Xhemajl Zeqirin (gjyshin e këngëtares Dafina Zeqiri) i cili, kulmin e shtëpisë ku jetonte me bashkëshorten Zizen, katër vajzat dhe dy djemtë, e kishte mbjellë me shumë antena dhe gjatë çdo feste kombëtare, Xhemajli arrestohej dhe mbahej në burgun e Besianës. Edhe gjatë çdo vizite që i bënte Kosovës krimineli Tito dhe kriminelët e tjerë, “kukojani” Xhemajl izolohej, deri në përfundim të vizitës.

Ndonëse i pa shkollë, kur shkonim në shtëpinë e tij, ai na mbante orë të historisë duke i treguar fotot e personaliteteve të shquara kombëtare. Xhemajl Zeqiri ka mbetur i tillë deri kur ndërroi jetë. Gjenerata e patriotëve të rinj të frymëzuar nga Met Podjeva, Jahja Fusha, Xhemajl Zeqiri dhe, mbi të gjitha, nga Baca i Madh, Adem Demaçi, ishin Shaban Shala, Xheladin Rekaliu, Hamit Berberi, Hakif Sheholli dhe të tjerët e vazhduan, me të gjitha sakrificat që duhej bërë në rrugën e frymëzuesve. Shumë shkurtimisht për një të kaluar patriotike, politike, kulturore dhe sportive të Besianës.

Në atë kohë kishte respekt për ata që duhej respektuar. Skuqeshim në rrugë kur takonim mësuesin e parë, Shaban Zebica apo mësuesen Nexhmije. Bënim vizita të rregullta te Xhemajl Zeqiri kurse, për ta uruar Bajramin, fëmijët e familjes sime së pari e vizitonim inxhen Zejnie (gjyshen e Anita Haradinajt), pastaj familjen tonë të ngushtë. Kur bohemët e parë të Llapit më merrnin gjatë pelegrinazhit të tyre te lumi Llap, që për ne kishte kuptimin që e ka lumi Nil në Afrikë, ku pinin birra dhe luanin shah, ndihesha si zot i vogël. Realisht, luaja mirë shah dhe në të shumtën e rasteve i fitoja lojërat.

Thuaja për çdo ditë luanim futboll të vogël në oborrin e shkollës fillore ku vokrrollët dhe Ragip Çitaku dominonin dhe bënin shou. Ragipi kishte një vëlla më të vogël, të talentuar, Fitimin, i cili vdiq shumë i ri. Të njëjtin që luanim futboll, gjatë dimrit skijonim te Kisha e Podujevës, me ski të punuara nga tarabat e Nikollës që ia shkulnim. I fusnim në një kusi me ujë të vluar dhe pastaj bënim përpjekje t’ua japim formën e skive.

Fadil Vokrri ishte bindshëm më i miri në futboll të vogël apo fusball siç e quanim atëherë. Kishte këmbë si shtylla graniti dhe nuk kishe gjasa ta rrëzoje apo t’ia merrje topin. Pastaj kaloi në Prishtinë, ku u bë yll i vërtetë, për të kaluar në Partizanin e Beogradit. Ne atëherë, ndonëse ishim të padijshëm për politika të mëdha, bënim tifo për klubet e ligës së parë të ish-Jugosllavisë në bazë të preferencave politike. Ata që e donin më shumë pjesën serbe të Jugosllavisë kryesisht ishin me Partizanin apo Crvena Zvezden kurse ne, “patriotët”, ishim me Dinamon e Zagrebit apo Hajdukun e Splitit. Naivë ishim në atë kohë, u përmirësuam pakëz më vonë.

Kur Fadili luante në Beograd dhe për Jugosllavinë ne e donim dhe brohorisnim për të se ishte shqiptar dhe binim në dëlir kur shënonte gol (i shënonte shpesh) sikur kur “tranoheshim” kur Nazif Gashi e mundi Beneshin apo kur Bogujevci, Hashani, Xhevdet Peci dhe Aziz Salihu i rrihnin ata që ne nuk mund t’i rrihnim e kishim shumë dëshirë t’i rrihnim.

Fadil Vokrri ishte futbollist i jashtëzakonshëm i cili, po ta kishte disiplinën e të bërit jetë sportive dhe të ushtronte si e bën Ronaldo, sot do të ishte në pesëshen e futbollistëve më të mëdhenj botërorë. Fadil Vokrri, Ismet Bogujevci, Afrim Kusia, Luli dhe disa të tjerë ishte vala tjetër e bohemëve të Llapit, tash në rrethana të tjera dhe mundësi të tjera. Nëse Ismeti, një këngëtar i mrekullueshëm, Fadili, futbollist par exellance, Afrimi, këngëtar i mbushur me zë eksploziv dhe Luli, futbollist shumë i mirë, do të ishin dhënë ekskluzivisht pas të mirave materiale, Behgjet Pacolli dhe Ramiz Kelmendi sot do të ishin shegert të tyre. Ismeti nuk ka pranuar kurrë, për asnjë çmim ta këndojë muzikë tallava për të fituar lekë, por ka kënduar muzikë të pastër shqiptare për qejfin e shoqërisë me të cilët e ka kaluar një gjysmë shekulli jetë e në mesin e tyre ka qenë edhe Fadili.

Me Fadilin jemi rritur sikur edhe me Ismetin, ndërsa edhe raportet familjare i kemi shumë korrekte. Për Fadilin flasin ata që e kanë dashur, e kanë respektuar, e kanë njohur dhe kanë ndjerë dhimbje të sinqertë me vdekjen e hershme, kurse për mua është shumë brengosëse që për Fadilin sot po flasin profiterët politikë që për së gjalli nuk ia kanë varur fare apo që kanë bërë përpjekje ta përmbysin nga posti që e ka pasur e tash, duan të vdesin për hidhërimin e madh që e kanë përjetuar për vdekjen e këtij mjeshtri të futbollit.

Ceremonia e varrimit të Fadil Vokrrit është dashur të bëhet nën përkujdesje të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport e kurrsesi nga Kuvendi i Kosovës. Kuvendi i Kosovës duhet të merret me këso ceremonish. Mos e dhashtë Zoti t’i ndodhë diçka Milaim Zekës, Zafir Berishës, Haxhi Shalës, Ganimete Musliut, Danush Ademit apo Sllobodan Petroviqit. Kurse, për Duda Baljen as që duhet biseduar, prandaj një lutje deri në qiell: O Zot, ruaje Duden e për të tjerët, nëse të mbetet kohë e tepërt!

Te ne është bërë si rregull që dikë e vlerësojmë vetëm kur të vdesë apo kur na duhet për përfitime politike. Prandaj edhe gruaja po më thotë shpesh: “ishalla martohesh edhe një herë, për të më vlerësuar si duhet…”. Punë që nuk bëhet, martesa për herë të dytë është sikur ta siguroni një “apartament” të përjetshëm në Alkatraz.

Dy miq të mi të idealit, sakrificës, bashkëpunimit e që lë të kuptohet se jemi tre shpirtra binjakë, Shkëlqesia e Tij, presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Z/kryeministri i Parë (para Enver Hoxhës) dhe ministri për Punë të Jashtme, z. Behgjet Pacolli dhe unë, (kurrkushi), reaguan shpejt, e shpallën të dielën si Ditë Zie kombëtare. Nga ky gjest i të parëve të Kosovës kam mbetur pa gjumë. Të fortë janë, të fortë!

Asnjëri nuk e di datën kur kalon nga një gjendje e përkohshme, në një gjendje të përhershme. Dhe mirë është se është kështu sepse, po të ishte ndryshe, të gjithë do të vdisnim, përveç deputetëve të Kuvendit të Kosovës që janë të pavdekshëm. E në veçanti grupi që po lobon për v(m)iza. Nuk e di nëse do të jetoj edhe 20 vjet, 30, 40 apo dyzet ditë. Por, e kam një dëshirë që të mos vdes sa të jenë në pushtet Hashimi dhe Begja sepse, Begja nuk do të shpallte as 10 minuta ditë zie për mua, që e vlerësoj dhe plotësisht do të jetë e pranueshme, kurse Hashimi, në fejsbukun e vet, do të shkruante aso fjalë për mua me të cilat fëmijët e mi do të binin në dilemë nëse unë kam qenë vërtet baba i tyre!

Apo, do të ma rreshtonte familjen sikur dikur në talim, do t’ua ndante një znaçkë e do të urdhëronte të më varrosin me nderime shtetërore sipas Protokollit të Gjylekarës dhe me orkestrën e Muçivërcës! Ta shohim nëse kjo dëshirë do të më plotësohet!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka…