
Moskonstituimi i Kuvendit, dhunim i votës së qytetarëve dhe i rendit kushtetues
Nga prof. dr. Fejzulla Berisha, autor i Leksikonit të së Drejtës Publike
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, që duhej të përmbylleshin me formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, kanë prodhuar një situatë të paprecedentë: Kuvendi i ri nuk është konstituuar as pas disa përpjekjeve të dështuara dhe afatet kushtetuese janë tejkaluar në mënyrë të rrezikshme. Ky moskonstituim, i qëllimshëm apo i ndikuar nga kalkulime politike, nuk është vetëm krizë politike, por para së gjithash përbën një dhunim të rëndë të vullnetit të sovranit dhe një shkelje të parimeve themelore të së drejtës publike.
Në Leksikonin e së Drejtës Publike, që së shpejti botohet për publikun akademik dhe juridik të vendit, kam theksuar qartë se vota nuk është thjesht një e drejtë politike, por një akt juridik me pasoja konstituive për pushtetin shtetëror. Vota është instrumenti përmes të cilit sovrani – qytetari – e delegon pushtetin, dhe përmes saj ndërtohen institucionet përfaqësuese. Në momentin që ky delegim nuk përkthehet në funksionim institucional, kemi të bëjmë me ngujim të demokracisë, përbuzje të vullnetit qytetar dhe sabotim të rendit kushtetues.
Kuvendi i Republikës së Kosovës është organi më i lartë përfaqësues. Moskonstituimi i tij është refuzim i përgjegjësisë publike nga vetë deputetët e zgjedhur, që po i ikin përballjes me mandatin që u është dhënë. Ata nuk janë më përfaqësues, por pengues të institucioneve. Ata nuk janë garantues të shtetit të së drejtës, por aktues në krizën kushtetuese. Dhe më keq akoma – në vend që të përballen me obligimet e tyre, e përdorin mosfunksionimin si mjet për negociata të brendshme politike që nuk kanë lidhje me rendin kushtetues.
Sipas së drejtës publike, dhe veçanërisht sipas parimeve që dalin nga ligjshmëria kushtetuese dhe nga doktrina e përfaqësimit politik, Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati të arsyeshëm dhe të paracaktuar, që në rastin e Kosovës është saktësisht i përcaktuar në Kushtetutë. Mosrespektimi i këtij afati krijon vakum institucional, bllokon funksionimin e pushtetit legjislativ, dhe hap rrugë për rrëshqitje autoritare, duke i lënë duart e lira një qeverie në detyrë pa kontroll parlamentar. Ky është një rrezik serioz për një shtet të ri dhe të brishtë si Kosova.
Në të drejtën publike, kjo situatë vlerësohet si krizë legjitimiteti, ku institucionet humbin lidhjen me burimin e tyre themelor – votën e qytetarëve. Vota është shenjtëri demokratike. Kur ajo injorohet, nuk kemi më sistem përfaqësues, por bllokadë politike dhe mohimin e demokracisë. Në këtë mënyrë, procesi zgjedhor shndërrohet në një farsë – jo sepse qytetarët nuk votuan, por sepse përfaqësuesit e zgjedhur refuzojnë të përkthejnë rezultatin në institucione funksionale.
Dhe kjo nuk është vetëm çështje e një partie politike apo një grupi të caktuar – është krizë e shtetformimit, e besimit qytetar dhe e vijimësisë së demokracisë kushtetuese në Kosovë.
Moskonstituimi i Kuvendit nuk është mungesë vullneti, por mungesë përgjegjësie, mungesë morali politik dhe shkelje e detyrës publike. Deputetët që u zgjodhën kanë detyrimin jo vetëm të betohen, por të veprojnë në përputhje me rendin kushtetues dhe të mundësojnë formimin e institucioneve. Ata nuk janë pronarë të votës, por shërbyes të saj.
Prandaj, ky moment kërkon ndërgjegjësim të thellë politik, mobilizim qytetar dhe kujdes institucional, për të parandaluar përshkallëzimin e krizës dhe për të ruajtur themelet e republikës. Vota e qytetarëve nuk është e negociueshme. Ajo është zëri i sovranit dhe baza e shtetit tonë demokratik.
Çdo ditë vonesë në konstituimin e Kuvendit është dhunim i Kushtetutës, fyerje për qytetarin dhe goditje për shtetin. Për këtë arsye, kërkohet urgjentisht rikthimi te rendi juridik, përgjegjësia institucionale dhe përkushtimi ndaj demokracisë së përfaqësimit, pa të cilat Kosova nuk mund të ecë përpara