Moszbatimi i marrëveshjes së dialogut për energji mund ta çojë Kosovën në krizë energjetike

23 mars 2018 | 11:29

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar të enjten një vizitë të anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kompaninë publike KOSTT (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës).

Në këtë vizitë morën pjesë kryetarja e këtij komisioni, Sala Berisha-Shala dhe anëtarja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila, të cilat takuan kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it, Ilir Shala dhe përfaqësues të bordit.

Qëllimi i kësaj vizite ishte informimi i anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik lidhur me zbatimin e marrëveshjes për energji të arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit dhe çështjen e faturimit të energjisë së pjesës veriore të Kosovës.

Deputetët kërkuan nga përfaqësuesit e KOSTT-it informacione lidhur me progresin për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe humbjet e shtetit të Kosovës nga moszbatimi i kësaj marrëveshjeje.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e KOSTT-it i informuan deputetët se deri më tani Kosova dhe Serbia nuk janë pajtuar për zbatimin e marrëveshjes për energji. Ata kanë theksuar se arsyeja e moszbatimit të marrëveshjes është refuzimi i Serbisë që ta regjistrojë kompaninë e re në Kosovë “Elektro Server”, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

Ata kanë njoftuar se janë raportuar vonesat tek përfaqësuesit e BE-së, të cilëve u kanë kërkuar të ushtrojnë më shumë presion ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjes.

Sipas përfaqësuesve të KOSTT-it, moszbatimi i kësaj marrëveshje po i shkakton humbje të mëdha financiare Kosovës dhe KOSTT-it në veçanti. Vetëm gjatë vitit 2017 KOSTT-i ka pasur humbje disa milionëshe, kurse nga viti 2008 deri në vitin 2017 Serbia llogaritet që ka përfituar deri në 52 milionë euro nga shfrytëzimi i linjave të interkoneksionit të Kosovës.

Përfaqësuesit e KOSTT-it kërkuan nga deputetët ta ngrehin këtë çështje në Kuvend dhe të kërkojnë nga Qeveria të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje të qëndrueshme. Deputetët u zotuan se do ta adresojnë sa më shpejt këtë çështje në seancat e Kuvendit të Kosovës dhe do t’i kërkojnë Qeverisë që këtë çështje ta trajtojë me prioritet dhe seriozitet.

Albulena S. MAVRAJ

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KESCO detyrohet të fillojë me reduktime si pasojë e rënies…