
Mourinho, pas humbjes nga Lazio: Gjyqtari dhe VAR prishën gjithçka
Trajneri i Romës, Jose Mourinho ka akuzuar gjyqtarin dhe VAR-in për humbjen e skuadrës së tij në derbin ndaj lazios (3-2).
“Ajo që u thashë lojtarëve në fushë mbetet mes nesh. Doja të flisja menjëherë me djemtë, me të njëjtin intimitet si në dhomat e zhveshjes”, ka thënë Mourinho.
“Më lejoni që si fillim të them diçka pozitive: futbolli italian është përmirësuar shumë nga 10 vite më parë. Cilësia e futbollit, loja sulmues, dëshira për të fituar, të gjitha janë përmirësuar. Fatkeqësisht, një lojë fantastike u prish nga gjyqatri dhe VAR. Ata nuk ishin në nivelin e duhur për këtë ndeshje. Goli i dytë mund të ishte 1-1, por shkoi 2-0. Kartoni i dytë i verdhë për Lucas Leiva ishte i rëndësishëm gjithashtu, pasi të luash kundër 10 vetëve bën diferencë. Pellegrini mori të kuq, sot Leiva nuk mori asgjë”, ka shtuar Mourinho.
Tutje trajneri portugez foli edhe për lojën që shfaqi Roma, duke thënë se ishin më të mirë në këtë ndeshje.
“Mendoj se skuadra ime ishte më e mira në fushë. Kur pëson tre gola, gabon, por dy golat e fundit i pësuam nga kundërsulme dhe i dyti ishte në një situatë ku ne prisnim penallti në favor dhe jo gol në portën tonë. Dominuam, i krijuam shumë probleme Lazios. Ata i kontrolluan minutat e fundit siç deshën, pasi gjyqtari ua lejoi diçka të tillë”.
“Jo, nuk më shqetësojnë problemet në mbrojtje. Do shqetësohesha nëse nuk do të përpiqeshim të fitonim ndeshjen, edhe pas vështirësive. Do shqetësohesha nëse do vinim këtu dhe Lazio do na dominonte 90 minuta. Ata na shënuan me kundërsulme”, ka përfunduar ai.
“Një skuadër që po humbet duhet të marrë përsipër rreziqe dhe ne e bëmë. I lamë hapësira Milinkovic, por edhe reaguam. E harruam shpejt gabimin dhe u përpoqëm të krijojmë gabime. Meritonim një rezultat më të mirë dhe gjyqtari ishte vendimtar në këtë ndeshje”, ka deklaruar Special One.