Mourinho po e pret Realin, çelësi quhet Florentino Perez
Jose Mourinho vazhdon të jetë në qendër të zërave për bankinën e Real Madridit.
Trajneri portugez, aktualisht në krye të Benficës, po i pret zhvillimet në “Santiago Bernabeu”, ndërsa kontaktet mes palëve konsiderohen ende aktive.
Sipas raportimeve nga Portugalia dhe nga Spanja, çështja kryesore mbetet Florentino Perez.
Presidenti i “Los Blancos” vazhdon ta vlerësojë shumë “Special One” dhe e konsideron atë profilin ideal për ta rikthyer disiplinën dhe autoritetin në një skuadër që e ka kaluar një sezon të vështirë.
Mourinho nuk e ka fshehur dëshirën për një rikthim të mundshëm në Madrid, edhe pse publikisht i ka mohuar kontaktet direkte me drejtuesit e klubit spanjoll.
“Nuk e kam pasur asnjë kontakt me Florentino Perezin apo me drejtuesit e Real Madridit”, deklaroi ai së fundmi në konferencë për shtyp.
Megjithatë, prapa skenave situata duket shumë më dinamike.
Mediat portugeze raportojnë se bisedimet mes përfaqësuesve të Mourinhos dhe të atyre të Real Madridit kanë nisur prej disa javësh dhe janë intensifikuar pas krizës sportive të “Los Blancos”.
Në Madrid ekziston bindja se Mourinho mund të jetë figura e duhur për ta menaxhuar një ambient të tensionuar, sidomos pas problemeve të shumta në dhomat e zhveshjes dhe rezultateve zhgënjyese të sezonit.
Nga ana tjetër, Benfica mbetet plani rezervë i portugezit. Mourinho ka kontratë deri në vitin 2027 me klubin luzitan dhe nëse marrëveshja me Realin nuk konkretizohet, ai është i gatshëm ta vazhdojë projektin në Lisbonë.
Në Portugali madje kanë nisur të fliten edhe emrat e mundshëm që mund ta zëvendësojnë Mourinhon në rast largimi, një sinjal i qartë se mundësia e rikthimit të tij në “Bernabeu” po merret shumë seriozisht.



