MPMS-ja dhe UNDP-ja hapin “Panairin e Vetëpunësimit 2019”

07 qershor 2019 | 15:01

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) të premten kanë hapur “Panairin e Vetëpunësimit 2019”,  i cili do të zgjasë deri më 8 korrik.

Në panair po marrin pjesë mbi 80 biznese të reja, të themeluara nëpërmjet programit të vetëpunësimit e të cilat po prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, është shprehur i lumtur me suksesin e përbashkët të MPMS-së dhe UNDP-së në mbështetje të qytetarëve punëkërkues në Kosovë në masa aktive të tregut të punës, të cilët janë kthyer në vende pune afatgjatë e të qëndrueshme.

“Ne si MPMS, nuk do të ndalemi së mbështeturi qytetarët tanë, me qëllim të ngritjes së punësueshmërisë në vend dhe një nga prioritetet tona, siç e kemi potencuar edhe në planin e punësimit të të rinjve, është që të rrisim punësueshmërinë, të përmirësojmë tregun e punës, t’i aftësojmë profesionalisht të rinjtë në bazë të nevojave të tregut të punës dhe njëkohësisht t’i mbështesim nëpërmjet masave aktive të tregut të punës”, ka deklaruar Reçica.

Ndihmësja e përfaqësueses së përhershme të UNDP-së në Kosovë, Valbona Bogujevci ka theksuar se programi i vetëpunësimit është pjesë e programit për masat aktive të tregut të punës që financohet nga MPMS-ja, që ka për qëllim që të promovojë vetëpunësimin, si një masë që është treguar e qëndrueshme.

“Ka për qëllim të asistojë të rinjtë që të themelojnë bizneset e veta të vogla në mënyrë sa më të suksesshme dhe të qëndrueshme dhe programi gjithashtu ndihmon përfituesit e programit në vazhdimësi nëpërmjet këshillimit gjatë gjithë procesit”, ka theksuar Bogujevci.

Gjatë panairit, Reçica dhe Bogujevci bënë edhe lansimin e fazën së re të Programit të Vetëpunësimit, nëpërmjet të cilit do të mbështeten 200 punëkërkues të riatdhesuar në tërë Kosovën dhe 50 punëkërkues të rregullt në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ferizaj është bërë me qendrën e parë të Inovacionit dhe…