MSh-ja njofton se qytetarët do të përzgjedhin mjekun familjar brenda zonës banimit

04 prill 2023 | 12:20

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar kohë më parë planin e veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

Qëllimi i këtij plani është që secili qytetar të ketë mundësinë që të përzgjedh mjekun familjar brenda zonës së banimit dhe sigurimit të qasjes në shërbime shëndetësore në kohën e duhur dhe sipas kërkesës.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se përmes përzgjedhjes së mjekut familjar do të krijohet lista e banorëve/pacientëve dhe kjo do të kontribuojë në rritjen e mbulueshmërisë së popullatës me shërbime shëndetësore.

“Rrjedhimisht, kjo do të ndikojë edhe në promovimin, edukimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet që ofrohen në Kujdesin Parësor Shëndetësor. Plani e thekson rëndësinë e përzgjedhjes së mjekut familjar për ruajtjen dhe përcjelljen e shëndetit të qytetarëve në vazhdimësi dhe përfitimet e qytetarëve nga ky proces”, ka njoftuar MSh-ja.

Fillimisht, procesi do të pilotohet në katër komuna: Lipjan, Istog, Prizren dhe Prishtinë (QMF-5- Ulpianë dhe QMF-6- Bregu i Dellit), për të vazhduar pastaj shtrirjen në tërë vendin.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do t’i mbajë të informuar qytetarët për hapat e mëtejmë në procesin e përzgjedhjes së mjekut familjar brenda zonës së banimit dhe ecurinë e mëtejme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti Hashim Thaçi do t’i thotë disa fjalë në seancën…