MSh-ja, qytetarëve: Merrni të gjitha dozat e vaksinës kundër Covidit
Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media ka bërë thirrje që të merren të gjitha dozat e vaksinës kundër Covidit, edhe doza e tretë përforcuese.
Vetëm kështu, sipas Ministrisë së Shëndetësisë arrihet niveli maksimal i mbrojtjes kundër këtij virusi.
“Nuk mjafton nëse keni marrë vetëm njërën dozë të vaksinimit dhe nuk jeni vaksinuar plotësisht. Niveli maksimal i mbrojtjes arrihet vetëm nëse i merrni të gjitha dozat e rekomanduara të vaksinës kundër Covid-19. Kudo në Kosovë, ju tani mund të merrni edhe dozën përforcuese dhe dozën e tretë!”, ka njoftuar MSh-ja.
Sipas raportit të datës 20 dhjetor, në 24 orët e fundit janë dhënë 310 doza të vaksinës kundër Covid-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.654.843 doza të vaksinës.
Deri më sot 776.881 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.



