Muharremi: Kampi i LV-së po frikësohet për bashkëpunimin mes LDK-së dhe PDK-së
Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike në Kosovë, duke thënë se bashkëpunimi i arritur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka shkaktuar frikë në kampin e Lëvizjes Vetëvendosje (LV).
Sipas tij, LV-ja po përpiqet ta portretizojë këtë bashkëpunim si diçka kërcënuese, megjithëse, siç ka thënë ai, qytetarët tashmë e kanë përjetuar qeverisjen dhe dominimin e kësaj partie në pothuajse pesë vitet e fundit.
“Ende LV-ja po mendon që jemi në vitin 2021 e që Kosova nuk e ka provuar qeverisjen dhe dominimin e LV-së. Gjatë gati pesë viteve të fundit, LV-ja ka pas pushtet absolut dhe të gjithë e kemi pa si qeveriset dhe çka ndodhi”, ka shkruar Muharremi në “Facebook”.
Ai ka thënë e qeverisja e Vetëvendosjes është shndërruar në një version më të keq të qeverisjeve të vjetra të LDK-së dhe PDK-së, me kapje të institucioneve publike, borde të mbushura me militantë dhe buxhet që përdoret për blerje votash.
“Në fund të mandatit të LV-së në Kosovë ka frikë, pasiguri dhe dyshime për të ardhmen. Dikush duhet me ia kthyer shpresën Kosovës e me kthyer besimin tek institucionet publike e qeveria”, ka shkruar ai
Muharremi e ka cilësuar të pavërtetë narrativën e LV-së se bashkëpunimi LDK-PDK rrezikon të rikthejë ndikimin e Serbisë në Kosovë.
“Kjo është një rrenë e madhe dhe propagandë e ulët, sepse edhe Memli, edhe Lumiri, e sidomos Hykmete e Bedria janë patriotë të jashtëzakonshëm. Për më shumë, janë me integritet. Sikur PDK-ja dhe LDK-ja të dëshironin, sot kishin pas qeverinë bashkë me Listën Serbe dhe Albini me shokë kishin qenë në opozitë”, ka shkruar Muharremi.



