
Muja s’e mohon se po tentojnë t’i bindin deputetët e partive tjera: Nuk është fare e fshehur kjo punë
Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, s’ka mohuar përpjekjet e bashkëpartiakëve të tij dhe partisë për të bindur deputetë të partive tjera për ta votuar kandidaten e tyre për kryeparlamentar.
“Nuk është fare e fshehur kjo punë që edhe deputetët tonë, qoftë individualisht ose me subjekte, është publike që ne po bëjmë përpjekje, çfarëdo që po mundemi që ta konsistuojmë Kuvendin. S’shoh diçka të jashtëzakonshme. Sigurisht që këto diskutime do të bëhen në të ardhmen edhe me Limajn. Por në lidhje me formimin e qeverisë pastaj. I takon Kurtit të gjejë forma për krijim të qeverisë”, ka thënë Muja.
Muja ka akuzuar partitë e tjera për bllokimin të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se qëllimi i tyre është për të bllokuar ardhjen e qeverisë Kurti.
“Qëllimet e PDK-së dhe partive opozitare është që të bllokohet Kuvendi me qëllim që të parandalohet formimi i qeverisë Kurti”, ka thënë ai.
Duke komentuar dilemat e partive tjera për Albulena Haxhiun, Muja përsëriti se “ka shumë deputetë të opozitës kur votuan për Zajednicën, për amnistimin e kriminelëve serbë në veri, kur votuan për demarkacionin dhe Gjykatën Speciale. Dua t’ju rikujtoj se Albulena Haxhiu s’e ka votuar asnjërën prej këtyre”.
Deputeti i Vetëvendosjes pretendoi se nuk i ikin përgjegjësisë për formim të institucioneve, ndërsa tha se kanë bërë përpjekje.
“Ne jemi në fazën e konstituimit të Kuvendit. Nuk i ikim përgjegjësisë, po marrim pjesë në votime, po bëjmë propozime, kemi ofruar paketë që të votohen në paketë. Jemi refuzuar. Partive opozitare, sidomos deputetëve iu takon përpjekja e përbashkët për konstitumin e Kuvendit”, ka thënë Muja.
Muja ka thënë se partia e tij dhe shefi i saj, Albin Kurti, do të bëjnë edhe koncesione për të krijuar qeverinë.
“Në fazën e dytë, gjithsesi do të ketë përpjekje për krijimin e qeverisë ku atu shpresoj dhe mendoj se do të ketë kompromise dhe koncesione për partneritete politike për të vazhduar tutje”, ka thënë ai.