Mungesa e konsensusit politik po dëmton procesin integrues të Kosovës

09 tetor 2020 | 11:34

Drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëresha Loxha-Stublla, ka deklaruar se mungesa e vazhdueshme e vullnetit dhe stabilitetit politik në Kosovë po ndikon në procesin e integrimit të vendit në BE.

Ajo ka vlerësuar se mungesa e konsensusit afatgjatë politik ka ndikuar në dëmtimin e procesit integrues të Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Loxha-Stublla ka deklaruar se kjo po ndikon në ngecjen e reformave të rëndësishme në sektor publik.

“Mungesa e vazhdueshme e vullnetit dhe stabilitetit politik, koalicionet e brishta dhe mungesa e konsensusit afatgjatë politik janë disa nga aspektet themelore që kanë dëmtuar procesin integrues të Kosovës duke pamundësuar krijimin e një qëndrueshmërie stabile për t’i adresuar reformat e ndryshme qoftë të procesit integrues, apo edhe reformat e tjera të rëndësishme në sektorë të ndryshëm publikë”, ka deklaruar Loxha-Stublla.

Ajo ka bërë me dije se për të avancuar në këtë proces Kosovës i duhet stabilitet institucional.

“Jeta jostabile institucionale ka bërë që Kosova ta zhvendosë fokusin nga proceset reformuese shumë të rëndësishme, duke bërë kështu të pamundshme krijimin e një stabiliteti institucional që do të krijonte mekanizma funksionalë për adresimin e reformave për përafrim me BE-në”, ka theksuar Loxha-Stublla. Në këtë intervistë ajo ka folur edhe për raportin e vendit për vitin 2020.

Sipas saj, ky raport nuk sjell ndonjë gjë të re sa i përket vlerësimit të performancës dhe defekteve të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Ky raport nuk vëren asnjë progres thelbësor sa iu përket reformave integruese të Kosovës. I njëjti nuk lavdëron Kosovën për asnjë reformë thelbësore të ndërmarrë gjatë këtij viti sa i përket përafrimit me BE-në dhe kjo dëshmon se Qeveria e Kosovës ka dështuar të ecë përpara në rrugën integruese, kryesisht për shkak të pafuqisë politike dhe mungesës së aftësisë për t’i përmbushur kërkesat dhe prioritetet e caktuara në këtë drejtim”, është shprehur ajo, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet t’i marrin seriozisht vërejtjet e këtij raporti.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i trajtojë me shumë kujdes dhe seriozitet të gjitha të gjeturat e pasqyruara në këtë raport dhe jo të mbetet ky një vlerësim anësor i situatës aktuale në Kosovë. Institucionet duhet të kuptojnë që e vetmja rrugë e duhur për Kosovën është ajo e përafrimit me BE-në, ngjashëm sikurse të gjitha vendet e rajonit dhe se për këtë kërkohet një përkushtim përtej koalicioneve politike dhe interesave të ngushta të tyre”, ka deklaruar Loxha-Stublla.

“Epoka e re”: Znj. Loxha, Komisioni Evropian ka publikuar raportin vjetor për Kosovën 2020. Cilat janë gjetjet kryesore të këtij raporti?
Loxha-Stublla: Në përgjithësi, Raporti i Vendit për vitin 2020 nuk sjell ndonjë gjë të re sa i përket vlerësimit të performancës dhe defekteve të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky raport nuk vëren asnjë progres thelbësor sa iu përket reformave integruese të Kosovës. I njëjti nuk lavdëron Kosovën për asnjë reformë thelbësore të ndërmarrë gjatë këtij viti sa i përket përafrimit me BE-në dhe kjo dëshmon se Qeveria e Kosovës ka dështuar të ecë përpara në rrugën integruese, kryesisht për shkak të pafuqisë politike dhe mungesës së aftësisë për t’i përmbushur kërkesat dhe prioritetet e caktuara në këtë drejtim. Madje raporti thotë se Kosova ende nuk ka arritur t’i konsolidojë mjaftueshëm kuadrot institucionale të cilat do menaxhonin në mënyrë sistematike dhe të mirëfilltë çdo kriter të procesit të integrimit. Përfundimisht, Raporti i Vendit vlerëson se Kosova nuk ka seriozitet për adresimin e instrumenteve të brendshme të procesit integrues, madje edhe prioritetet e dikurshme sikurse Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) apo Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) nuk janë tashmë pjesë thelbësore e debatit të brendshëm dhe ato më shumë shërbejnë si fasadë për të përmbushur një detyrim formal sesa që është arritur ndonjë impakt minimal në reformat evropiane, apo mirëqenien qytetare. Ky raport, ndër të tjera, vlerëson se Kosova nuk ka arritur të çojë përpara asnjë reformë thelbësore në sistemin e drejtësisë, i cili vazhdon të mbetet i kapur nga politika dhe larg performancës së dëshiruar, sidomos në trajtimin e rasteve të profilit të lartë. Raporti rithekson sikur vitin e kaluar që korrupsioni është prevalent gjithandej. Po ashtu, raporti gjen progres të limituar në fushën e administratës publike dhe vlerëson negativisht pezullimin e dy ligjeve kryesore që rregullojnë këtë fushë, të cilat së fundmi u pezulluan nga Gjykata Kushtetuese. Për më tepër, Kosova karakterizohet me emërime të larta të pabazuara në meritë dhe procese rekrutuese të diskutuara që, në thelb, shërbejnë për t’i akomoduar interesat e partive në pushtet. Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet objekt i përçarjeve të thella dhe aspak aktiv në rolin mbikëqyrës të tij, duke mos arritur që as minimalisht ta implementojë agjendën legjislative të paracaktuar. Mungesa e një strukture të mirëfilltë të shpenzimeve publike, pamundësia e të bërit biznes për shkak të kontrollit të madh të interesave politike, reprezentimi i mangët i gruas në politikëbërje dhe mungesa e transparencës në financimin e partive politike janë disa aspekte të rëndësishme të ngritura si shqetësime në raportin e vendit për vitin 2020.

 “Epoka e re”: Duke pasur parasysh faktin se gjatë kësaj kohe janë ndërruar dy qeveri, a ka mundur të bëjë më shumë Kosova në rrugën e saj integruese?
Loxha-Stublla: Mungesa e vazhdueshme e vullnetit dhe stabilitetit politik, koalicionet e brishta dhe mungesa e konsensusit afatgjatë politik janë disa nga aspektet themelore që kanë dëmtuar procesin integrues të Kosovës duke pamundësuar krijimin e një qëndrueshmërie stabile për t’i adresuar reformat e ndryshme, qoftë të procesit integrues, apo edhe reformat e tjera të rëndësishme në sektorë të ndryshëm publikë. Jeta jostabile institucionale ka bërë që Kosova ta zhvendosë fokusin nga proceset reformuese shumë të rëndësishme, duke bërë kështu të pamundshme krijimin e një stabiliteti institucional që do të krijonte mekanizma funksionalë për adresimin e reformave për përafrim me BE-në. Kosova duhet të angazhohet më tutje në krijimin e mekanizmave adekuatë institucionalë të cilët shkojnë përtej interesave politike dhe që do të mundësojnë implementimin sistematik të kritereve dhe reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë këtu instrumentet ekzistuese si ERA dhe PKZMSA.

 “Epoka e re”: Çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për t’i adresuar gjetjet e këtij raporti?
Loxha-Stublla: Siç thashë në fillim, Raporti për Vendin i këtij viti nuk ka sjellë asnjë të re për sa i përket progresit në rrugën integruese të Kosovës dhe mendoj se i njëjti do të vazhdojë të neglizhohet nga kjo qeveri, siç është neglizhuar nga ato parapraket në 10 vjetët e fundit. Raporti vazhdon ta tërheqë vërejtjen se Qeveria e Kosovës nuk ka seriozitetin e duhur dhe vullnetin politik për adresimin e instrumenteve të procesit integrues dhe se shumica e vendimeve të ndërmarra bëhen kryesisht në baza ad-hoc. Për më tepër, vërehet një bashkëpunim tejet i dobët horizontal ndërmjet institucioneve qeveritare, e shpeshherë i çakorduar në rrafshin praktik. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i trajtojë me shumë kujdes dhe seriozitet të gjitha të gjeturat e pasqyruara në këtë raport dhe jo të mbetet ky një vlerësim anësor i situatës aktuale në Kosovë. Institucionet duhet të kuptojnë që e vetmja rrugë e duhur për Kosovën është ajo e përafrimit me BE-në, ngjashëm sikurse të gjitha vendet e rajonit dhe se për këtë kërkohet një përkushtim përtej koalicioneve politike dhe interesave të ngushta të tyre.

“Epoka e re”: Në këtë raport Komisioni Evropian ka ripërsëritur qëndrimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, por nuk flet për kohën se kur mund të ndodhë vendimmarrja për këtë proces. Cilat janë gjasat që këtë vit të kemi ndonjë vendim të Këshillit të BE-së për liberalizim të vizave?
Loxha-Stublla: E vërtetë. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2020 edhe një herë konfirmon që Kosova ka përmbushur kriteret minimale për liberalizimin e vizave dhe një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Parlamenti Evropian. Por i njëjti nuk jep një afat të caktuar se kur kjo mund të ndodhë ngaqë një gjë e tillë tashmë është në dorë të shteteve anëtare të BE-së.

 “Epoka e re”: Për këtë proces institucionet tona po e kritikojnë BE-në, duke përmendur faktin se Kosova ka përmbushur kushtet për këtë proces. A po tregohet e padrejtë BE-ja në këtë aspekt me Kosovën?
Loxha-Stublla: Parlamenti Evropian ka konfirmuar dy herë radhazi se tashmë Kosova ka përmbushur kriteret e nevojshme për liberalizim dhe se BE-ja duhet ta gjejë mënyrën që shtetet anëtare unanimisht të procedojnë tutje dhe ta mbajnë premtimin e dhënë. Kosova duhet të bëjë përpjekje që në bashkëpunim me vendet skeptike të gjejë mënyra për t’i adresuar brengat e tyre karshi Kosovës. Një mundësi ka qenë krijimi i grupeve që do t’i identifikonin dhe më pas adresonin problemet e identifikuara nga vendet të cilat janë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Deri më tani, asgjë konkrete nuk është ndërmarrë në këtë drejtim.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas testimit të linjës ajrore London Heathrow – Prishtinë, e…