
Mungesa e Ministrisë për Familjen dhe impakti demografik në Kosovë
Shkruan: Anita Morina-Saraçi, drejtoreshë në Institutin për Sociologji Familjare në Kosovë – ISFK
Në një kohë kur shoqëria kosovare përballet me sfida të thella sociale dhe demografike – nga rritja e divorceve te ulja e lindshmërisë, nga emigrimi masiv i të rinjve te fragmentimi i rolit tradicional të familjes – bëhet gjithnjë e më evidente nevoja për themelimin e një Ministrie të Familjes në Kosovë. Një institucion i tillë do të kishte rol kyç jo vetëm në mbrojtjen e strukturës familjare, por edhe në adresimin e krizës demografike që po përballon vendi.
Në Kosovë, familja ka qenë historikisht shtylla kryesore e shoqërisë. Ajo ka ruajtur qëndrueshmërinë sociale edhe në periudha më të vështira, por në kohët moderne përballet me trysni të reja si ndryshimet kulturore, papunësia, migrimi dhe varfëria.
Përkundër rëndësisë së saj, deri më tani nuk ka pasur një institucion të veçantë që i adreson në mënyrë të integruar çështjet e familjes dhe të mirëqenies së saj dhe kjo përbën një nga boshllëqet më të mëdha në arkitekturën institucionale të vendit, me pasoja të drejtpërdrejta në aspektin demografik dhe social. Familja si bërthamë e shoqërisë nuk ka përfaqësim të drejtpërdrejtë në nivelin më të lartë të politikëbërjes, duke e lënë atë të pambrojtur përballë sfidave ekonomike, sociale dhe kulturore që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. Çështjet që lidhen me familjen janë të shpërndara ndërmjet disa ministrive ekzistuese, si ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Shëndetësisë, Arsimit dhe Drejtësisë, por kjo ndarje ka sjellë mungesë koordinimi, mbivendosje të përgjegjësive dhe efikasitet të ulët në zbatimin e politikave publike. Në mungesë të një qasjeje të centralizuar dhe të integruar, vendimet për mbështetje familjare janë shpesh formale, jo të qëndrueshme dhe pa ndikim real në terren.
Shtete të ndryshme evropiane, si Hungaria apo Franca, kanë krijuar institucione të posaçme për familjen dhe kanë ndërmarrë politika proaktive për të përballuar sfidat demografike përmes mbështetjes direkte për familjet e reja, stimulimit të lindshmërisë dhe ndërtimit të një klime sociale që e promovon familjen si vlerë dhe institucion. Kosova, përkundër këtyre shembujve të suksesshëm, vazhdon të qëndrojë pas në këtë drejtim dhe nuk ka ende një strategji kombëtare për familjen e as masa konkrete që e lidhin zhvillimin socio-ekonomik me qëndrueshmërinë familjare. Në këtë situatë, themelimi i një Ministrie për Familjen nuk është luks institucional por domosdoshmëri zhvillimore. Një ministri e tillë do të mundësonte hartimin dhe zbatimin e politikave të integruara për mbështetjen e familjes, promovimin e lindshmërisë, lehtësimin e sfidave për prindërit e rinj dhe garantimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror. Po ashtu, do të krijonte hapësirë për programe të mirëfillta për edukim familjar, shërbime për prindërit, lehtësira fiskale dhe financiare për familjet, si dhe nisma që adresojnë fenomenet shqetësuese si dhuna në familje, divorci, varfëria apo mungesa e banimit. Pa një vizion institucional për familjen, Kosova rrezikon të përballet me një krizë të thellë demografike dhe sociale në dekadat në vijim, me pasoja të pakthyeshme për zhvillimin e vendit. Ndaj, krijimi i një Ministrie për Familjen duhet të jetë prioritet kombëtar, si përgjigje konkrete dhe e përgjegjshme ndaj nevojave të qytetarëve dhe sfidave të kohës.