Mungon Dardan Gashi, shtyhet gjykimi në rastin e njohur si “afera e hidrocentraleve”

21 shtator 2021 | 13:11

Mungesa e të akuzuarit Dardan Gashi është bërë shkak që të shtyhet seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”.

Katër ish-ministrat e Qeverisë “Thaçi 2”, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq janë duke u akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.

Bashkë me ta janë duke u akuzuar edhe Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.

Fillimisht, i akuzuari Gashi, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Arianit Koci ka njoftuar gjykatën për vonesën e tij për seancë, duke kërkuar që palët ta presin për dy orë.

Mirëpo, lidhur me pritjen e tij dhe vazhdimin e seancës pasdite nuk është pajtuar prokurori Naim Abazi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Beqaj, avokati Besnik Berisha.

Për këtë, seanca e së martës është shtyrë, përkundër faktit që prezentë ishin të gjitha palët tjera dhe dëshmitarët.

Mirëpo, në pamundësi të koordinimit midis mbrojtësve të të akuzuarve, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Valon Kurtaj nuk ka arritur ta caktojë seancën për nesër apo pasnesër. Andaj, gjykimi është shtyrë për 26 dhe 27 tetor 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik, gjatë së cilës seancë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.

Kurse, seanca e fundit është mbajtur më 9 shtator, gjatë së cilës është dëgjuar dëshmitari Blerim Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valon Prestreshi, i cili është pjesë e grupit të ekspertëve…