‘Mungon Kosova e përditshme’, Deliu kritikon raportin 56-faqësh të Kurtit
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar pas publikimit të raportit të kryeministrit Albin Kurti për të arriturat kryesore të qeverisë Kurti 2, duke kritikuar mënyrën se si është paraqitur bilanci i qeverisjes.
Kurti të mërkurën ka publikuar një dokument prej 57 faqesh, ku ka përmbledhur atë që i cilëson si të arriturat kryesore të mandatit të dytë qeverisës, ndërsa ka bërë të ditur se drafti i programit të ri qeverisës do të jetë gati javën e ardhshme.
Por, Deliu ka vlerësuar se në këtë raport mungon pasqyrimi i realitetit me të cilin përballen qytetarët e Kosovës.
“Në 56 faqet e raportit të Albin Kurtit, do të duhej ta gjenim edhe Kosovën e përditshme”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Ajo ka përmendur vështirësitë ekonomike të pensionistëve, familjeve dhe pacientëve, si dhe pasigurinë e të rinjve për të ardhmen në Kosovë.
Sipas Deliut, kryeministri ka përmendur rritjen e pagave, por pa e ballafaquar atë me rritjen e çmimeve, ndërsa ka raportuar për rritjen e buxhetit në shëndetësi pa trajtuar nivelin e furnizimit me barna.
“Pas pesë vjetësh qeverisje, qytetarët kanë të drejtë me kërku një bilanc të mirëqenies së tyre, jo vetëm një përmbledhje të të arriturave të Qeverisë”, ka theksuar Deliu.



