Murat Jashari sërish e demanton Kurtin për çështjen e Presidentit: Jo, qëndroj pas asaj që kam deklaruar
Murat Jashari ka demantuar deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili ka thënë se mediat i kishin bërë “pritë” Jasharit gjatë deklarimeve për çështjen e presidentit.
Përmes një përgjigjeje dërguar moderatorit të “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ermal Panduri, Jashari ka thënë se nuk e konsideron si “pritë” trajtimin që kishte marrë nga mediat.
“Përshëndetje Ermal. Jo, qëndroj pas asaj që kam deklaruar. Të përshëndes dhe suksese për ju! Sinqerisht! Murati.”, ka shkruar Jashari.
Paraprakisht Panduri i kishte dërguar pyetje Murat Jasharit lidhur me pretendimin e Kurtit.
“A e keni konsideruar z.Jashari pritë atë çfarë në momentin kur jeni deklaruar për media për çështjen e presidentit, me nderime Ermal Panduri”, ishte mesazhi i Pandurit.
Deklarata e Jasharit vjen pasi Kurti, gjatë një interviste në KTV, deklaroi se mediat kishin vepruar padrejtësisht ndaj tij.



